SBAShK kërkon që ndryshimet në skemat pensionale të diskutohen edhe në Parlament

Për të shprehur shqetësimet lidhur me ndryshimet që janë bërë në skemën pensionale që kanë
prekur në të drejtat e fituara të punëtorëve të pensionuar arsimor, përfaqësuesit e SBASHK-ut
janë takuar me kryetarin e Komisionit parlamentar për Arsim Ardian Gola e pastaj u ka
dërguar shkresa për takime shefave të Grupeve Parlamentare Mimoza Kusari Lila, Abelard
Tahiri, Arben Gashi, Besnik Tahiri e Enis Kervan.

Kërkesës së SBASHK-ut i janë përgjigjur këtë premte shefi i Grupit parlamentar të PDK-së,
Abelard Tahiri dhe përfaqësuesi i Grupit parlamentar të LDK-së, Driton Selmanaj.

“Kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj bashkë me koordinatorin për organizim të brendshëm Ymer
Ymeri dhe zyrtarin ligjor Blendor Shatri në takime të ndara u kanë ofruar argumente, të cilat ua
kanë lënë edhe në formë të shkruar, z. Abelard Tahirit dhe z. Driton Selamanajt duke i lutur që
të analizojnë këto fakte dhe të nisin iniciativën për të dërguar çështjen në Gjykatën Kushtetuese
dhe për të nisur debat në Parlament në mënyrë që të evitohen lëshimet në ndryshimet e bëra në
Ligjin për skemat pensionale të financuar nga shteti dhe t’u kthehet e drejta e fituar punëtorëve të
pensionuar nga arsimi”, thuhet në njoftimin zyrtar të kësaj sindikate.

Nga SBASHK-u kanë thënë se presin që javën e ardhshme të kenë takime edhe me shefen e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes Mimoza Kusari-Lila, të AAK-së Besnik Tahiri dhe të Grupit Parlamentar
Multietnik Enis Kervan.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi