“Rusia është e përkushtuar ndaj qasjes së komunitetit ndërkombëtar në lidhje me zgjidhjen me dy shtete për çështjen palestinezo-izraelite”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se Rusia është e përkushtuar ndaj qasjes për zgjidhjen me dy shtete për çështjen palestineze dhe se kjo është e vetmja rrugëdalje nga ky problem i gjatë, transmeton Anadolu.
Në kryeqytetin Moskë, Peskov bëri vlerësime për gazetarët lidhur me çështjet në rendin e ditës.
Ai deklaroi se vendi i tij i përmbahet rezolutave themelore të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB).
“Rusia është e përkushtuar ndaj qasjes së komunitetit ndërkombëtar në lidhje me zgjidhjen me dy shtete për çështjen palestinezo-izraelite. Qasja jonë është e vlefshme. Kjo është e vetmja zgjidhje për këtë problem kompleks dhe të gjatë, i cili po përjeton fazën më tragjike në historinë e tij”, tha Peskov.
– “Estonia dhe vendet baltike po përshkallëzojnë tensionet në rajon”
Zëdhënësi Peskov komentoi gjithashtu deklaratën e Estonisë javën e kaluar se avionët luftarakë rusë shkelën hapësirën e saj ajrore.
“Ne besojmë se deklarata të tilla janë boshe dhe të pabaza, një vazhdim i një qasjeje që synon përshkallëzimin e tensioneve. Kjo është shumë keq. Nga ana tjetër, kjo nuk është asgjë e re në politikën e jashtme të Estonisë dhe vendeve të tjera baltike. Fatkeqësisht, kjo po përshkallëzon tensionet në rajon. Trupat tona, përfshirë fluturimet e tyre, po veprojnë brenda kornizës së rregullave ndërkombëtare”, u shpreh Peskov.