Peskov tha se ka një numër vendesh me të cilat Rusia ka marrëdhënie të ngushta, por që gjithashtu ndajnë qëndrimin e Azerbajxhanit, me të cilin, sipas tij, ata “kategorikisht nuk pajtohen”
Kremlini ka deklaruar se Rusia e konsideron “të gabuar” qëndrimin e Azerbajxhanit lidhur me Ukrainën
“Ne besojmë se kjo pikëpamje është e gabuar. Dhe do të vazhdojmë ta shpjegojmë në mënyrë të qëndrueshme dhe bindëse pse e konsiderojmë të gabuar, përmes të gjitha kanaleve”, u tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, gazetarëve gjatë një konference për media.
Duke theksuar se Moska dhe Baku kanë marrëdhënie të afërta, Peskov tha se ka një numër vendesh me të cilat Rusia ka marrëdhënie të ngushta, por që gjithashtu ndajnë qëndrimin e Azerbajxhanit, me të cilin, sipas tij, ata “kategorikisht nuk pajtohen”.
Ai e përshkroi çështjen si një “pikë mosmarrëveshjeje”, duke shtuar: “Në të njëjtën kohë, ne besojmë se kjo nuk është arsye që kjo çështje të hedhë hije mbi marrëdhëniet tona dypalëshe. Ne po ndjekim këtu një qasje pragmatike”.
Dje, presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev rikonfirmoi këshillën e tij për Ukrainën që “të mos pajtohet kurrë me pushtimin” dhe tha se qëndrimi i vendit të tij “mbetet i pandryshuar”.
“Ne gjithmonë e kemi mbështetur, e mbështesim dhe do të vazhdojmë të mbështesim integritetin territorial të Ukrainës, sovranitetin e saj dhe paprekshmërinë e kufijve të saj. Kufijtë e asnjë shteti nuk mund të ndryshohen me forcë ose pa pëlqimin e popullit të atij vendi. Dhe këtu, natyrisht, qëndrimet tona janë mjaft të qëndrueshme dhe të vendosura. Ne jemi gjithmonë të gatshëm të ndihmojmë popullin ukrainas, siç thuhet, në çdo mënyrë që mundemi”, u tha Aliyev pjesëmarrësve të Forumit të 4-t Global të Medias në Shusha.
Peskov gjithashtu komentoi deklaratat e fundit të kancelarit gjerman, Friedrich Merz, duke theksuar se ato tregojnë “ngërçin” e qëndrimit evropian lidhur me Ukrainën.
“Nëse evropianët janë vërtet të bindur për këtë qëndrim dhe nëse këmbëngulin në të, kjo do të përjashtojë plotësisht mundësinë që vendet evropiane të marrin pjesë në procesin e zgjidhjes”, tha Peskov, duke argumentuar se garancitë e sigurisë nuk mund të formulohen pa pjesëmarrjen e Rusisë.
Ai hodhi poshtë akuzat e BE-së për sulme kibernetike, duke shtuar se megjithëse Rusia është akuzuar për veprime në të cilat nuk ka pasur përfshirje, akuza të tilla janë “gjithmonë të pabazuara, kurrë të vërtetuara dhe ne nuk dëgjojmë kurrë prova”.
Dje, Ministria e Punëve të JAshtme e Mbretërisë së Bashkuar njoftoi sanksione të reja në koordinim me BE-në, duke theksuar se ato synojnë përpjekjet “e vazhdueshme dhe gjithnjë e më të pamatura të shtetit rus për të mbjellë kaos dhe përçarje në të gjithë Evropën”.







