Rusia: Pothuajse 2 mijë mercenarë të huaj humbën jetën në betejat në Ukrainë

Sipas ministrisë ruse, 6.956 njerëz kanë mbërritur në Ukrainë që nga 24 shkurti, kur filloi lufta, 1.956 vdiqën në beteja, ndërsa 1.770 u larguan nga vendi

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka publikuar të dhënat për mercenarët e huaj që luftojnë në anën e Ukrainës, sipas të cilave deri më tani pothuajse 2 mijë mercenarë të huaj kanë humbur jetën në betejat në Ukrainë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas ministrisë ruse, 6.956 njerëz kanë mbërritur në Ukrainë që nga 24 shkurti, kur filloi lufta, 1.956 vdiqën në beteja, ndërsa 1.770 u larguan nga vendi.

Në një konferencë për media në Moskë, zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë, Igor Konashenkov, tha se tani për tani të paktën 3.221 të huaj po luftojnë në anën ukrainase. Ai theksoi se ministria gjurmon dhe shënon ardhjen e çdo mercenari në Ukrainë.

“Aktualisht, në bazat tona të të dhënave janë vendosur jo vetëm mercenarët që marrin pjesë drejtpërdrejt në armiqësi si pjesë e trupave ukrainase, ne gjithashtu numërojmë instruktorë të ardhur për të dhënë mësim, për të ofruar ndihmë në funksionimin dhe riparimin e armëve perëndimore të siguruara për Ukrainë”, tha Konashenkov.

Sipas tij, Polonia është “lider i padiskutueshëm” midis vendeve evropiane për nga numri i mercenarëve që mbërritën dhe vdiqën që nga fillimi i luftës. Ai tha se të paktën 1.831 luftëtarë polakë erdhën në Ukrainë, 378 prej tyre humbën jetën dhe 272 u kthyen në shtëpi.

Më tej, ai tha se Rumania pason e dyta pasi 504 mercenarë rumunë iu bashkuan trupave ukrainase, prej të cilëve 102 vdiqën dhe 98 u larguan nga Ukraina.

Më pas vjen Mbretëria e Bashkuar, siç tha Konashenkov, me 422 mercenarë që mbërritën, prej të cilëve 101 vdiqën dhe 95 u larguan nga Ukraina.

Siç theksoi Konashenkov, Kanadaja është “furnizuesi kryesor i mercenarëve nga kontinenti amerikan” pasi 601 qytetarë të saj kanë hyrë në Ukrainë që nga muaji shkurt, prej të cilëve 162 vdiqën dhe 169 u larguan nga vendi.

Më pas, sipas tij, vijon SHBA-ja me 530 që kanë mbërritur, 214 të vdekur dhe 227 që u larguan.

“Nga Lindja e Mesme, Kaukazi i Jugut dhe Azia, shumica e tyre, 355 mercenarë, erdhën nga Gjeorgjia, nga të cilët 120 u vranë dhe 90 u larguan nga Ukraina. Kjo pasohet nga militantë të formacioneve terroriste të transferuar nga zonat e kontrolluara nga SHBA të Eufratit Sirian, përkatësisht 200 persona. Deri më sot, 80 prej tyre janë shkatërruar dhe 66 janë larguar nga Ukraina”, tha Konashenkov.

Ai shtoi se lista e Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë përfshin 3.221 mercenarë dhe specialistë nga 64 vende.

Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara (OKB), mbi 4.500 civilë janë vrarë në Ukrainë që nga fillimi i luftës më 24 shkurt, ndërkohë mbi 14 milionë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, përfshirë 7.7 milionë që kanë ikur jashtë vendit.

Kategoritë
BotaLajme