Rusët i bëjnë thirrje Izraelit të ndalojë zgjerimin e vendbanimeve në territoret palestineze

Moska i bën thirrje Izraelit që menjëherë të ndalojë zgjerimin e vendbanimeve në territoret palestineze dhe të kthejë qytetarët e saj që janë zhvendosur atje, deklaroi zëvendësambasadori i parë i Rusisë në OKB, Dmitry Polyanski.

“Kërkojmë që Izraeli të ndalojë menjëherë aktivitetet që lidhen me vendbanimet e tij, të kthejë shtetasit e vet, të ndalojë zhvendosjen e detyruar të palestinezëve dhe të parandalojë sulmet e kolonëve izraelitë dhe anëtarëve të agjencive policore,” tha Polyanski në një seancë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së lidhur me aktivitetet izraelite në territoret palestineze.

Ai paralajmëroi se perspektivat për ndonjë normalizim në Bregun Perëndimor janë thuajse zero, për shkak të operacioneve të reja ushtarake të Izraelit në Gazë.

Polyanski theksoi se detyrat prioritare janë vazhdimi i regjimit të armëpushimit, sigurimi i qasjes humanitare dhe vazhdimi i shkëmbimit të të burgosurve, raportoi TASS.

Sipas tij, është thelbësore që marrëveshjet të jenë të qëndrueshme, përndryshe ato mund të dështojnë në çdo moment.

Polyanski shprehu bindjen se Këshilli i Sigurimit mund dhe duhet të luajë një rol në procesin e negociatave dhe të sigurojë që rezultatet e atij procesi të respektohen nga të gjitha palët.

“U bëjmë thirrje ndërmjetësuesve që ta kenë këtë skenar si përparësi. Shpresojmë se do të mbizotërojë arsyeja dhe se palët përfundimisht do të kthehen në tryezën e bisedimeve,” shtoi Polyanski.

 

Kategoritë
BotaLajme