Rusët dhe Amerikanët zhvilluan takim me dyer të mbyllura në Nju Jork, Lavrov në një mënyrë interesante e përshkroi takimin

Përfaqësues të delegacioneve ruse dhe amerikane zhvilluan sot, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, një takim të rëndësishëm ku u diskutua për luftën në Ukrainë. Delegacionin rus e udhëhoqi shefi i diplomacisë së vendit Sergej Lavrov, ndërsa delegacionin amerikan sekretari i shtetit Marco Rubio.

Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov gjatë bisedimeve me sekretarin amerikan të shtetit Marco Rubio theksoi gatishmërinë për të koordinuar përpjekjet me Uashingtonin në zgjidhjen e shkaqeve themelore të krizës ukrainase.

Lavrov nënvizoi të papranueshme planet e Kievit dhe të disa vendeve evropiane për zgjatjen e konfliktit, bëri të ditur Ministria e Jashtme e Rusisë: “Lavrov theksoi gatishmërinë e vendit tonë për të respektuar vijën e zhvilluar nga liderët rusë dhe amerikanë në Alaskë, përfshirë koordinimin e përpjekjeve me palën amerikane për zgjidhjen e shkaqeve themelore të konfliktit ukrainas. Ministri theksoi të papranueshme skemat që promovojnë Kievi dhe disa kryeqytete evropiane, të cilat kanë për qëllim zgjatjen e konfliktit,” u tha nga ministria.

Ata gjithashtu shkëmbyen mendime për zgjidhjen e krizës ukrainase, duke u mbështetur mbi mirëkuptimet e arritura gjatë samitit në Alaskë. Lavrov dhe Rubio konfirmuan interesin e përbashkët për gjetjen e një zgjidhjeje paqësore të konfliktit ukrainas.

“Krerët e dikastereve të jashtme shkëmbyen mendime mbi zgjidhjen e krizës ukrainase, duke ndërtuar mbi mirëkuptimet e arritura gjatë samitit ruso-amerikan në Anchorage,” thuhet më tej.

Ajo që tërhoqi vëmendje ishte se, pas takimit, gazetarët tentuan ta ndalonin Lavrovin dhe e pyetën nëse ishte i kënaqur me rezultatet e takimit – ai ngriti gishtin e madh lart në shenjë aprovimi.

Kategoritë
BotaLajme