Ruben Amorim rikthen interesimin për yllin e Interit – kërkon që të finalizohet transferimi

Manchester United ka rindezur interesimin për mesfushorin italian të Interit, Davide Frattesi, pasi klubi zikaltër ka vendosur të ulë çmimin e kartonit të tij nga 50 milionë euro në rreth 35 milionë euro.

Sipas burimeve nga CaughtOffside, drejtuesit e “Djajve të Kuq” janë në kontakt me Interin për të marrë informacion mbi kushtet dhe detajet e një marrëveshjeje të mundshme për 25-vjeçarin.

Edhe pse deri më tani nuk ka pasur asnjë negociatë zyrtare apo ofertë konkrete, Interi është i hapur për të shqyrtuar një shitje të Frattesit gjatë kësaj vere. Përveç Manchester United, Tottenham Hotspur, Atletico Madrid dhe Roma janë gjithashtu të interesuara dhe po e monitorojnë situatën e lojtarit nga afër.

Frattesi, që debutoi me kombëtaren italiane në vitin 2022, ka grumbulluar 29 paraqitje me “Azzurrët”, duke realizuar 8 gola. Ai kaloi sezonin 2023/24 në formë huazimi te Interi nga Sassuolo dhe më pas u ble përfundimisht nga zikaltërit verën e kaluar. Në sezonin e tij të parë si lojtar me të drejta të plota, ai zhvilloi 47 ndeshje në të gjitha kompeticionet, duke shënuar 7 gola dhe dhënë 2 asistime.

Në “Old Trafford”, Frattesi shihet si pjesë kyçe e projektit të ri të Ruben Amorim, i cili mbështetet në strukturën e përforcuar drejtuese me Omar Berrada dhe Jason Wilcox. Klubi anglez synon të rindërtojë mesfushën, pavarësisht se në dispozicion ka emra si Casemiro dhe Manuel Ugarte, ky i fundit i sapoardhur me kontratë deri më 2029.

Pikërisht për të shtuar freski dhe dinamikë në repartin e mesit të fushës, Manchester United po kërkon një profil si Frattesi – një mesfushor me aftësi të balancuara në fazën mbrojtëse dhe sulmuese.

Aftësia e tij për të mbuluar hapësirat, për të kontribuar në presing dhe për të hyrë në zonë e bën atë një element të përshtatshëm për stilin e lojës që kërkon të implementojë Amorim në Ligën Premier.

Kategoritë
LajmeSport