Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu i ka kërkuar administratës së Trump-it që të ushtrojë presion mbi Egjiptin për të ulur grumbullimin e fundit ushtarak në gadishullin Sinai, kanë thënë për Axios një zyrtar amerikan dhe dy zyrtarë izraelitë.
Sipas tyre, dislokimi ushtarak egjiptian në Sinai është bërë një tjetër pikë e rëndësishme tensioni mes dy vendeve ndërsa lufta në Gaza vazhdon.
Gjatë një takimi në Jerusalem të hënën, Netanyahu i paraqiti sekretarit të shtetit Marco Rubio një listë aktivitetesh në Sinai për të cilat ai pretendoi se përbëjnë shkelje të rëndësishme të marrëveshjes së paqes së vitit 1979 mes Izraelit dhe Egjiptit, për të cilën SHBA shërbejnë si garant.
Dy zyrtarë izraelitë thanë se egjiptianët po ngritin infrastrukturë ushtarake – disa prej të cilave mund të përdoren për qëllime ofensive – në zona ku sipas marrëveshjes lejohet vetëm armatim i lehtë. Ata pretenduan gjithashtu se egjiptianët kanë zgjatur pistat në bazat ajrore në Sinai për përdorim nga avionë luftarakë dhe kanë ndërtuar objekte nëntokësore që inteligjenca izraelite beson se mund të shërbejnë për magazinimin e raketave.
Edhe pse nuk ka prova që raketat tashmë ruhen aty, izraelitët thonë se Egjipti nuk ka dhënë shpjegim të arsyeshëm për synimet e tij kur është pyetur nëpërmjet kanaleve diplomatike dhe ushtarake.
Një zyrtar izraelit tha se vendi vendosi t’i drejtohet administratës Trump pasi bisedimet e drejtpërdrejta me egjiptianët nuk sollën përparim.
“Ajo që po bëjnë egjiptianët në Sinai është shumë serioze dhe jemi shumë të shqetësuar,” tha një zyrtar tjetër izraelit.
Sipas tyre, situatën e përkeqëson fakti që forcat shumëkombëshe vëzhguese të udhëhequra nga SHBA kanë reduktuar ndjeshëm fluturimet mbi Sinai, duke kufizuar aftësinë e tyre për të monitoruar gjendjen.
Nga ana tjetër, një zyrtar egjiptian i ka hedhur poshtë pretendimet dhe ka thënë se administrata Trump nuk e ka ngritur së fundi këtë çështje me Egjiptin.
Tensionet mes Izraelit dhe Egjiptit janë rritur që kur Netanyahu formoi qeverinë e tij në fund të vitit 2022. Ai dhe presidenti egjiptian Abdul Fattah al-Sisi nuk kanë pasur takime publike pothuajse tre vjet, dhe biseda e fundit telefonike e njohur mes tyre ka qenë në qershor 2023.
Egjipti është gjithnjë e më i shqetësuar se Netanyahu dhe qeveria e tij duan të detyrojnë një pjesë ose të gjithë dy milionë palestinezët e Gazës të kalojnë në Sinai. Për këtë arsye, Kairo ka forcuar praninë ushtarake në kufi dhe ka paralajmëruar se një fluks refugjatësh palestinezë do të shihej si kërcënim për sigurinë kombëtare.
Sisi ka paralajmëruar gjithashtu Izraelin se veprime të tilla mund të minojnë marrëveshjen e paqes. Netanyahu ndërkohë e ka kritikuar Egjiptin publikisht për refuzimin për të pranuar refugjatët palestinezë nga Gaza, duke e akuzuar se “kundër vullnetit të tyre mbyll banorët e Gazës që duan të largohen nga zona e luftës”.
Pas sulmit izraelit ndaj Katarit më herët këtë muaj, Sisi dërgoi një mesazh drejtpërdrejt popullit izraelit gjatë një fjalimi në Doha, duke paralajmëruar se qeveria e Netanyahut po rrezikon marrëveshjen e paqes me Egjiptin dhe po pengon normalizimin e mëtejshëm me vendet e rajonit.
Gjithashtu, diskutimet egjiptiane për krijimin e një force të përbashkët arabe si përgjigje ndaj sulmit izraelit në Doha kanë shqetësuar edhe më shumë zyrtarët izraelitë.