​Rritet numri i turistëve në Kosovë, kërkohet themelimi i Ministrisë së Turizmit

Turizmi në Kosovë po vazhdon trendin pozitiv të rritjes nga viti në vit. Sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2025 është shënuar një rritje prej 5.6 për qind të vizitorëve, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024.

Nga viti 2020 e deri më sot, numri i turistëve që kanë vizituar Kosovën është rritur. Në vitin 2020, Kosova u vizitua nga 151 mijë e 816 turistë, të cilët realizuan 266 mijë e 491 net-qëndrime. Ndërsa, në vitin 2021 ky numër u dyfishua, duke arritur në 355 mijë e 141 vizitorë, dhe më pas 460 mijë e 467 turistë në vitin 2022. Rritja vazhdoi në vitin 2023, kur vendi u vizitua nga 621 mijë e 486 turistë, me gjithsej 698 mijë e 68 net-qëndrime.

Kryetari i Unionit të Turizmit të Kosovës, Baki Hoti, në emisionin e fundit “Shtylla”, prodhim i KosovaPress kërkon nga institucionet që të trajtojnë sektorin e turizmit si prioritet dhe të krijojnë politika të qarta zhvillimore. Ai ka propozuar që Kosova të krijojë një Ministri të veçantë për Turizëm, e cila do të merrej ekskluzivisht me zhvillimin e këtij sektori strategjik.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi