Rritet në mbi 65 mijë numri i palestinezë të vrarë në Gaza nga sulmet izraelite

Ministria e Shëndetësisë e Gazës raportoi 98 vdekje dhe 385 plagosje vetëm në 24 orët e fundit

Numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet izraelite në Gaza është rritur në të paktën 65.062, me 165.697 të tjerë të plagosur që kur Izraeli nisi luftën gjenocidale në enklavë në tetor të vitit 2023, transmeton Anadolu.

Ministria e Shëndetësisë e Gazës raportoi 98 vdekje dhe 385 plagosje vetëm në 24 orët e fundit, si dhe paralajmëroi se shifrat mbeten të paplota, pasi shumë viktima janë ende të bllokuara nën rrënoja ose në rrugë që ekipet e shpëtimit nuk mund t’i arrijnë.

Që kur Izraeli rifilloi sulmet ndaj Gazës më 18 mars, të paktën 12.511 persona janë vrarë dhe 53.656 janë plagosur.

Ministria theksoi se forcat izraelite vazhduan të shënjestrojnë palestinezët që kërkonin ndihmë ushqimore, me shtatë persona të vrarë dhe 87 të plagosur gjatë ditës së kaluar. Kjo e çoi numrin total të kërkuesve të ndihmës të vrarë në 2.504, me mbi 18.381 të plagosur që nga 27 maji.

Ministria konfirmoi gjithashtu katër vdekje nga uria dhe kequshqyerja gjatë ditës së kaluar, duke e rritur numrin e viktimave që nga tetori i vitit 2023 në 432, përfshirë 146 fëmijë.

Që kur u shpall zyrtarisht uria në Gaza muajin e kaluar, janë regjistruar 154 vdekje të tilla, midis tyre 31 fëmijë.

Izraeli ka mbyllur kalimet e Gazës që nga 2 marsi, duke penguar hyrjen e kamionëve me ushqim dhe ndihmë pavarësisht qindra njerëzve që prisnin në kufi. Ky veprim ka përkeqësuar katastrofën humanitare në enklavë, duke i lënë banorët pa qasje në furnizimet bazë.

Nëntorin e vitit të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi ​​urdhër-arreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli gjithashtu përballet me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën në enklavën palestineze.

Kategoritë
BotaLajme