Rohde: Kosova t’i marrë me seriozitet detyrimet në dialog, duam të ju shohim në BE

Ambasadori gjerman Jorn Rode do të largohet nga Prishtina pas pesë vitesh shërbimi diplomatik në Kosovë.

Në një intervistë të dhënë në ditët e fundit të mandatit, Rohde ka thënë se është në interes të barabartë të bashkësisë ndërkombëtare dhe autoriteteve të Kosovës, si dhe të të gjithë qytetarëve dhe komuniteteve në Kosovë, që dialogu të përparojë me shpejtësi dhe që rruga drejt pranimit në BE të hapet.

Rohde ka theksuar se për t’u bërë kjo duhet që secila palë të përmbushë detyrimet e saj. Ai këtu përmendi nevojën që Kuvendi i Kosovës të konstituohet dhe të vazhdohet me formimin e qeverisë së re.

Ambasadori gjerman tha se ngërçi institucional po e lë Kosovën pa mbështetje financiare.

Te obligimet e Kosovës në dialog, ambasadori gjerman përmendi Asociacionin e komunave me shumicë serbe, teksa tha se zbatimi i marrëveshjes duhet të fillojë.

“Megjithatë, secila palë në dialog duhet të bëjë pjesën e saj dhe të përmbushë detyrimet e saj. Kosova është kryesisht e detyruar të konstituojë Kuvendin dhe të formojë një qeveri të re. Qytetarët e Kosovës kanë pritur për më shumë se gjysmë viti që dikush t’i përfaqësojë ata, dhe vendi po humbet ngadalë gjithnjë e më shumë mbështetje financiare dhe politike sa më gjatë që i mungon përfaqësimi demokratik i qytetarëve të saj. Më lejoni të përsëris, Gjermania dhe BE-ja janë të gatshme dhe të vullnetshme të ndihmojnë, por Kosova së pari duhet të tregojë se e merr seriozisht dialogun dhe detyrimet e saj drejt normalizimit, siç është fillimi i zbatimit të marrëveshjes për Asociacionin e  Komunave me shumicë serbe”, tha Rohde.

Ai pati edhe një mesazh për përfaqësuesit politik në Kosovë. Rohde tha se, Gjermania dëshiron që ta shohë Kosovën në BE sa më shpejt që të jetë e mundur.  Ai tha se udhëheqësit politikë duhet të zhvillojnë artin e kompromisit.

“Do të doja t’u thoja udhëheqësve politikë të zhvillojnë dhe përmirësojnë artin e kompromisit. Kjo është një rrugë e sigurt për të arritur normalizimin dhe në të njëjtën kohë për të arritur aspiratat tuaja për Bashkimin Evropian. Sepse së bashku, qytetarët e Kosovës mund të bëjnë shumë. Gjithmonë do të besoj në potencialin e Kosovës dhe të gjithë qytetarët e Kosovës do të mbeten afër zemrës sime”, tha Rohde.

Kategoritë
BotaLajme