Izraeli po përballet me një largim rekord të qytetarëve me arsim të lartë dhe të ardhura të mira, ndërsa numri i emigrimeve pothuajse është dyfishuar gjatë pesë viteve të fundit. Rritja më e madhe është shënuar gjatë viteve 2023 dhe 2024.
Sipas të dhënave të Departamentit për Planifikim dhe Ekonomi të Administratës Tatimore të Izraelit, në mesin e atyre që po largohen nga vendi janë të përfaqësuar në mënyrë disproporcionale profesionistët e sektorit të teknologjisë dhe shëndetësisë, gjë që e thellon edhe më shumë problemin e largimit të fuqisë punëtore të kualifikuar.
Analiza tregon se deri në vitin 2019, qytetarët që largoheshin nga Izraeli, para emigrimit paguanin mesatarisht rreth 500 milionë shekelë, ose rreth 166 milionë dollarë, tatim mbi të ardhurat në vit. Gjatë dy viteve të fundit, kjo shumë është rritur në rreth 1,2 miliardë shekelë në vit.
Në të njëjtën kohë, të ardhurat mesatare të emigrantëve, të cilat më parë ishin afërsisht në nivelin e mesatares kombëtare, sot janë rreth 50 për qind më të larta.
Të ardhurat mesatare vjetore të qytetarëve që po largohen nga vendi janë rritur nga 125 mijë shekelë gjatë periudhës 2015-2019, në rreth 200 mijë shekelë në vitin 2024.
“Bazuar në të gjithë treguesit që lidhen me izraelitët që janë larguar së fundmi nga vendi, shihet qartë se ritmi i emigrimit mes shtresave më të fuqishme dhe më të pasura të shoqërisë është rritur ndjeshëm, ndërsa te qytetarët me gjendje më të dobët ekonomike shkalla e largimit ka mbetur pothuajse e pandryshuar”, thanë autorët e studimit, Dr. Ariel Greizaz dhe Nili Ben-Tovim.
Ata paralajmërojnë se, nëse ky trend vazhdon, Izraeli gjatë pesë viteve të ardhshme mund të humbasë rreth 3,5 miliardë shekelë të ardhura tatimore në vit.
Kjo paraqet një sfidë serioze për buxhetin, duke pasur parasysh se një e pesta e qytetarëve më të pasur financon deri në 92 për qind të totalit të tatimit mbi të ardhurat.
Shqetësim të veçantë paraqet edhe fakti se vendin po e braktisin gjithnjë e më shumë punëtorë në të dyzetat dhe pesëdhjetat e tyre, pra pjesa më produktive e fuqisë punëtore.
Duke qenë se sektori i teknologjisë përbën një të pestën e prodhimit të brendshëm bruto dhe më shumë se gjysmën e eksporteve totale të Izraelit, ekspertët paralajmërojnë se largimi i kuadrove të kualifikuara kërcënon drejtpërdrejt themelet e ekonomisë kombëtare.
Një studim paralel i Universitetit të Tel Avivit tregon se pothuajse 50 mijë qytetarë izraelitë në vit janë larguar nga vendi gjatë tri viteve radhazi deri në vitin 2025. Si arsyet kryesore përmenden konfliktet e zgjatura ushtarake dhe paqëndrueshmëria politike.
Ekonomisti Dan Ben-David paralajmëroi se largimi i vazhdueshëm i kapitalit njerëzor kyç mund të shkaktojë një rreth vicioz nga i cili vendi do ta ketë të vështirë të rimëkëmbet.



















