Real Madridi bllokohet në aeroport nga moti i keq, s’ka pistë për t’u ulur

Real Madrid është përballur me një sërë pengesash për shkak të motit të keq, që ka ndikuar në përgatitjet për gjysmëfinalen e Botërorit të Klubeve kundër PSG-së. Skuadra e drejtuar nga Xabi Alonso, e cila po qëndronte në Palm Beach, u pengua të nisej me kohë për në Neë Jersey për shkak të një stuhie që përfshiu rajonin e Floridës.
Fluturimi charter i parashikuar për të lënë Miamin u shty, me avionin që mbeti në pritje për orë të tëra për të marrë dritën jeshile për nisje. Edhe pas ngritjes, një tjetër problem u shfaq në momentin e uljes: aeroporti i Newark nuk kishte një pistë të lirë dhe avioni i “Los Blancos” u detyrua të fluturonte në rreth për më shumë se një orë.

Gjatë kësaj kohe, klubi madrilen ishte në kontakt të vazhdueshëm me FIFA-n, së cilës iu komunikua anulimi i të gjitha aktiviteteve zyrtare të parashikuara për ditën para ndeshjes. Në përpjekje për të gjetur një alternativë, u morën në konsideratë zbritjet në Virginia dhe Allentoën, përpara se të jepej konfirmimi për ulje në Newark.

Ndryshe nga PSG, që ka zgjedhur të stërvitet në Rutgers University në New Jersey, Real Madrid kishte vendosur të qëndronte në Palm Beach për përgatitjet, një zgjedhje që përfundimisht rezultoi e komplikuar për shkak të kushteve atmosferike.

Klubi madrilen ka vendosur që, në rast të kualifikimit në finalen që do të luhet të dielën më 13 korrik në MetLife Stadium, të qëndrojë në New Jersey për të shmangur problemet logjistike të hasura këtë herë.

Kategoritë
BotaLajme