Kryeministri Albin Kurti ka përsëritur shpesh se qeverisja e tij do të bëhet me “duar të pastra”, por sot kjo retorikë vihet në provë me rastin e kryeshefit të “Ibër Lepencit”, Faruk Mujka, ndaj të cilit është ngritur aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Sipas Kodit të ri të Procedurës Penale, i miratuar në vitin 2022, parashihet suspendimi nga puna i zyrtarëve publikë që nga ngritja e aktakuzës për vepra penale të korrupsionit dhe të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.
Megjithëkëtë, Neni 539 parashikon se gjykata, me kërkesë të prokurorit, është e vetmja që mund të urdhërojë pezullimin. Në rast pezullimi, neni 540 garanton që zyrtari i akuzuar merr 50% të pagës bazë, ndërsa nuk mund të kryejë detyrat e tij zyrtare.
Vendimi i pezullimit varet nga procedura gjyqësore dhe vendimi i gjykatës, ndërsa zbatimin e siguron Bordi i Drejtorëve të ndërmarrjes.
Rasti i Mujkës e nxjerr në pah një kontrast mes premtimeve për “duar të pastra” dhe praktikës ligjore.
Në këtë situatë, nëse Kurti nuk vepron duhet të pritet aktvendimin gjyqësor për të parë nëse kryeshefi i “Ibër Lepenc” do të pezullohet nga detyra dhe si do të zbatohen dispozitat e Kodit të ri.
Prokuroria Speciale ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj Faruk Mujkës dhe Hysen Muzliukajt, të dyshuar për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Mujka dhe Muzliukaj dyshohet se sa ishin zyrtarë të komunës së Mitrovicës së Jugut, i kanë shkaktuar dëm Agjencisë Kosovare të Privatizimit 125 mijë e 100 euro. Mujka ka qenë nënkryetar, ndërsa Muzliukaj drejtor i kadastrës në kohën kur Agim Bahtiri ishte kryetar komune.
“Të pandehurit akuzohen se, F.M., në pozitën e nënkryetarit të komunës së Mitrovicës së Jugut, dhe H.M., si Drejtor i Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në të njëjtën komunë, me dashje dhe duke shfrytëzuar detyrën zyrtare, kanë tejkaluar kompetencat me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore të kundërligjshme për persona të tretë dhe në dëm të pronës publike. Sipas aktakuzës, më 25.04.2021, të pandehurit, duke qenë në dijeni se Kuvendi i Komunës kishte marrë dy herë vendim për shpalljen me interes të posaçëm publik të një prone të paluajtshme, i paraqitën po këtij Kuvendi një Propozim-Vendim për këmbimin e të njëjtës prone, duke e paraqitur atë si pronë komunale, duke i shkaktuar dëm të konsiderueshëm prej 125,100.00 euro Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).”
Mujka dyshohet edhe për veprën “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, të ardhurave, dhuratave, dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare”.
Prokuroria ka propozuar shqiptimin e dënimeve plotësuese ndaj të pandehurve.