Mes këtyre futbollisteve, 59 për qind kanë përmendur arsyet financiare, ndërsa 46 për qind i janë referuar stresit psikologjik, thuhet në një raport nga FIFPRO.
Gati gjysma e futbollisteve profesioniste femra shqyrtojnë mundësinë e përfundimit të parakohshëm të karrierës, me arsyetimin për vështirësi financiare dhe shqetësime për shëndetin mendor, sipas një raporti të publikuar nga FIFPRO, transmeton Anadolu.
Raporti Global i Punësimit 2026, i bazuar në anketa dhe intervista me rreth 800 futbolliste në mbarë botën, ka zbuluar se 49 për qind e tyre po shqyrtojnë mundësinë e përfundimit të karrierës para kohe.
Mes këtyre futbollisteve, 59 për qind kanë përmendur arsyet financiare, ndërsa 46 për qind i janë referuar stresit psikologjik.
Pavarësisht rritjes së të ardhurave në futbollin e femrave, raporti paralajmëroi se përmirësimet në paga dhe kushtet e punës mbeten të pabarabarta mes vendeve dhe ligave.
Pagat mesatare mujore nga klubet, të përshtatura sipas inflacionit, janë trefishuar që nga viti 2017, duke arritur në 2.601 dollarë, por paga mediane mbetet në 1.669 dollarë, çka pasqyron dallime të konsiderueshme në paga.
“Profesionalizimi i futbollit të femrave po përshpejtohet në disa pjesë të botës dhe, siç thekson raporti ynë, të ardhurat po rriten. Megjithatë, përparimi dhe përfitimet nuk shpërndahen në mënyrë të barabartë mes futbollisteve në mbarë botën”, ka thënë Alex Culvin, drejtor i futbollit të femrave në FIFPRO.
“Jashtë klubeve me burimet më të mëdha, përsëriten vazhdimisht pasiguria dhe kushtet e brishta”, ka shtuar Culvin.
Përtej pasigurisë financiare, studimi zbuloi se 57 për qind e futbollisteve kanë përjetuar vështirësi të shëndetit mendor, ndërsa gjysma e tyre nuk kanë marrë asnjë mbështetje nga klubet.
Mbrojtja në marrëdhëniet e punës mbetet gjithashtu e kufizuar. Vetëm 56 për qind e futbollisteve të anketuara kishin kontrata, 47 për qind kanë raportuar mungesë të stafit të mjaftueshëm në klube dhe vetëm 13 për qind kanë përfituar pension.
Dallimet rajonale ishin veçanërisht të theksuara, pasi pagat mesatare në dhjetë vende të Evropës Lindore kanë mbetur nën nivelin e pagës minimale kombëtare, pavarësisht rritjeve të konsiderueshme në tregje si SHBA-ja dhe Meksika.
Në përgjigje të gjetjeve, FIFPRO bëri thirrje për standarde minimale të detyrueshme dhe të zbatueshme të punësimit, që përfshijnë pagat, infrastrukturën, personelin dhe kujdesin shëndetësor, si dhe për mbështetje të detyrueshme psikologjike.