Rahoveci i pari në Kosovë për përmbushjen e premtimeve zgjedhore

Komuna e Rahovecit ka dalë e para në Kosovë për përmbushjen e premtimeve zgjedhore sipas raportit të Institutit GAP për mandatin e qeverisjes 2021-2025, ka njoftuar kryetari i kësaj komune, Smajl Latifi.

Latifi ka thënë se nga 84 premtime të dhëna gjatë fushatës së vitit 2021, janë përmbushur 66, shtatë janë gjysmë të përmbushura, ndërsa nëntë kanë nisur të realizohen.

“Jam shumë i gëzuar me këtë sukses të arritur nga unë dhe bashkëpunëtorët e mi në pozicione drejtuese, por edhe nga puna e mirë e personelit të administratës së komunës”, ka shkruar ai.

Ai theksoi se programi qeverisës i komunës është i bazuar në analizë të kujdesshme të nevojave të qytetarëve dhe në mundësitë buxhetore, duke shtuar se nuk ka dhënë dhe nuk do të japë premtime të pambështetura.

Latifi ka përmendur gjithashtu se një tjetër arritje ishte shpallja e Komunës së Rahovecit si komuna më transparente në Kosovë për vitin 2024 nga Indeksi i Transparencës Buxhetore, ku kjo komunë mori 100 pikë.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi