Qytetarët përballen me rritje të çmimeve, ekspertët fajësojnë mungesën e konkurrencës

Çmimet e produkteve esenciale qumështi, djathi, vaji, vezët dhe artikuj të tjerë ushqimor në vendin tonë po vazhdojnë të shënojnë ngritje, bashkë me to është shtrenjtuar edhe kostoja e shërbimeve tjera për qytetarët në Kosovë.

Qytetarët ankohen për këto shtrenjtime dhe për pagat e ulëta siç thonë ata për t’i përballuar këto çmime të larta. Ndërsa ekspert të ekonomisë thonë se ngritja e çmimeve po ndodh për shkak të mungesës së konkurrencës jo të drejtë në treg dhe importit të lartë të mallrave. Shteti ynë ka importuar mallra në vlerë mbi 5 miliardë euro, vetëm nga muaj janar deri në shtator të këtij viti. Vlera e importit është rritur me rreth gjysmë miliardi euro në këtë periudhë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, raporton KosovaPress.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, çmimet e konsumit në një mesatare në shtator shënuan rritje (inflacioni) prej 4.7 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Krahas të ardhurave mujore në Kosovë, sipas ASK-së, pensioni bazik në vendin tonë është 120 euro, paga minimale 350 euro bruto dhe paga mesatare 639 euro për vitin 2024

Përveç kësaj, qytetarët shprehen të shqetësuar për këtë situatë, duke e cilësuar të papërballueshme për xhepin e tyre. Ata, kërkojnë më shumë angazhim nga institucionet përkatëse për të kontrolluar tregun dhe çmimet.

Qytetari Bislim Bislimi thekson se këto çmime janë të larta krahasuar me të ardhurat mujore në Kosovë.

“Janë rritur të gjitha produktet, por nuk ka inspektor. Katastrofë rrogat e ulëta. Nuk ja vlen duke i krahasuar rrogat që i marrim këtu, me çmimet nuk janë askund, nuk përputhën,” ka thënë Bislimi.

Kategoritë
LajmeTë ndryshme