Shërbimi britanik i inteligjencës ka analizuar dekretin e liderit të Kremlinit, Vladimir Putin, sipas të cilit “qytetarët ukrainas që qëndrojnë ilegalisht në Rusi duhet të largohen deri më 10 shtator ose të legalizojnë qëndrimin e tyre”.
Shërbimet britanike të inteligjencës vunë re se më 20 mars, Putin ka nënshkruar një dekret që i detyron qytetarët ukrainas që jetojnë në Rusi ose në territorin ukrainas nën pushtimin rus që “të rregullojnë statusin e tyre ligjor deri më 10 shtator 2025 ose të largohen nga territori”.
Shërbimi britanik i inteligjencës pohon se dekreti i Putinit “me shumë gjasë ka për qëllim të detyrojë qytetarët ukrainas që refuzojnë të pranojnë pasaportat dhe shtetësinë ruse të largohen nga territori ukrainas i pushtuar nga Rusia”.
“Putini dhe udhëheqja e lartë ruse vazhdojnë të ndjekin një politikë rusifikimi në territorin ukrainas të pushtuar në mënyrë të paligjshme, si pjesë e përpjekjeve të gjata për të çrrënjosur kulturën, identitetin dhe shtetësinë ukrainase”, thuhet në raport.
Shërbimi britanik i inteligjencës thekson se Rusia “gabimisht dhe në mënyrë të paligjshme” e përkufizon si pjesë të Federatës Ruse edhe territorin e pushtuar dhe atë të papushtuar të Ukrainës në rajonet Donjeck, Luhansk, Zaporizhja dhe Herson, si dhe Krimenë.
“Kjo bie ndesh drejtpërdrejt me deklaratat e vetë Rusisë për njohjen e pavarësisë dhe sovranitetit të Ukrainës pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, si dhe me njohjen më të gjerë ndërkombëtare të Ukrainës”, përfundon raporti.