Presidenti rus, Vladimir Putin, ka deklaruar se armëpushimi SHBA-Iran u dëshmua i “paqëndrueshëm dhe tepër i brishtë” pas memorandumit të qershorit, si dhe e ka siguruar Teheranin për mbështetjen e Moskës, transmeton Anadolu.
Duke folur gjatë një takimi me presidentin Iranian, Masoud Pezeshkian, në margjinat e samitit të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO) në Bishkek të Kirgistanit, Putin theksoi mbështetjen e Moskës për Iranin mes tensioneve aktuale ushtarake dhe politike.
“Ne e mirëpritëm arritjen, në qershor të këtij viti, të memorandumit iraniano-amerikan për armëpushim, por për fat të keq armëpushimi u dëshmua i paqëndrueshëm dhe tepër i brishtë”, tha Putin.
Ai shtoi se Rusia është përpjekur t’i ofrojë ndihmë Iranit gjatë kësaj periudhe të vështirë, përfshirë furnizimin me mallra të nevojshme.
Pavarësisht tensioneve, theksoi ai, Moska dhe Teherani kanë ruajtur ritmin e bashkëpunimit të tyre tregtar dhe ekonomik të vitit të kaluar.
Presidenti rus theksoi punën e rregullt të komisionit dypalësh ndërqeveritar dhe marrëveshjen e tregtisë së lirë midis Bashkimit Ekonomik Euroaziatik dhe Iranit si faktorë që mbështesin lidhjet ekonomike.
Putin gjithashtu theksoi rritjen e bashkëpunimit humanitar dhe arsimor, duke shtuar se numri i studentëve iranianë në Rusi i është afruar shifrës 9.000 gjatë vitit akademik 2025-2026. Prej tyre, tha ai, 802 studiojnë me mbështetje financiare nga shteti rus.
Pezeshkian, nga ana e tij, tha se Irani mbështet qëndrimin e Rusisë për largimin nga një rend botëror unipolar. Ai i përshkroi marrëdhëniet mes Teheranit dhe Moskës si “strategjike” dhe tha se “ato e ndihmuan Iranin të përballet me SHBA-në”.
Presidenti iranian shprehu gjithashtu bindjen se Irani do të dalë fitimtar nga përballja e tij me Washingtonin.
Takimi u zhvillua teksa dy liderët po merrnin pjesë në samitin e SCO-së në Bishkek, i cili shënon 25-vjetorin e organizatës dhe mbledh liderët e shteteve anëtare dhe partnerëve të ftuar.