Stërvitja e këtij viti e ushtrisë ruse dhe bjelloruse, e planifikuar periodikisht që nga periudha e Bashkimit Sovjetik si stërvitja “Zapad”, po ngjall shqetësim në mesin e vendeve anëtare të NATO-s në rajon për shkak të mundësive për provokime.
Stërvitja “Zapad-21” ishte e fundit e këtij lloji para fillimit të agresionit rus në Ukrainë, kur në shtator 2021 morën pjesë 200.000 ushtarë.
Pikërisht stërvitja “Zapad-21” përfaqëson përgatitjen më të madhe logjistike për agresionin rus ndaj Ukrainës, prandaj stërvitja e këtij viti në Evropën Lindore shihet si një ngjarje me rëndësi të madhe sigurie.
Stërvitja do të mbahet në Bjellorusi në periudhën 12–16 shtator dhe, sipas vlerësimeve të hapura, në të do të marrin pjesë të paktën 30.000 ushtarë.
Analistët e NATO-s vlerësojnë se gjatë zhvillimit të stërvitjes “Zapad-25” vendet anëtare të Evropës Lindore mund të përballen me sulme kibernetike, pengime të sinjaleve GPS si dhe forma të tjera sabotimesh dhe subversioni.
Ministri bjellorus i mbrojtjes, Viktor Hrenin, tha se stërvitja e ardhshme do të fokusohet pjesërisht në luftën me armë bërthamore dhe raketa balistike me rreze të mesme veprimi të tipit “Orešnik”.
“Sigurisht që në kuadër të stërvitjes ‘Zapad’, së bashku me kolegët rusë, do të ushtrojmë çështje që lidhen me planifikimin e përdorimit të këtij lloji armatimi”, tha Hrenin.
Nga ana tjetër, Estonia, Letonia, Lituania dhe Polonia planifikojnë të përgjigjen duke zhvilluar një stërvitje ushtarake me rreth 40.000 ushtarë si kundërpërgjigje ndaj stërvitjes “Zapad 2025”.