Putin për orë të tëra me njerëzit më të afërt të Trumpit. Burimi: “Nuk do të ndalet derisa ta arrijë këtë”

Presidenti rus Vladimir Putin zhvilloi të shtunën bisedime që zgjatën më shumë se tre orë me dy të dërguar amerikanë, në përpjekje për të arritur një marrëveshje për përfundimin e luftës në Ukrainë. Një zyrtar i Kremlinit i cilësoi bisedimet si “jashtëzakonisht të dobishme”, por nuk dha asnjë shenjë se ishte arritur ndonjë përparim konkret.

Ushakov: Biseduam edhe për projekte të mëdha ekonomike

Këshilltari i Kremlinit, Yuri Ushakov, tha se amerikanët Steve Witkoff dhe Jared Kushner “paraqitën një sërë idesh për mënyrat e mundshme të arritjes së një marrëveshjeje”, pa dhënë hollësi se për çfarë propozimesh bëhej fjalë.

Ushakov shtoi se Putin u kishte thënë të dërguarve amerikanë se Rusia po shënon “përparim real” në fushëbetejë dhe se mbetet e bindur në objektivat e saj, duke theksuar domosdoshmërinë e zgjidhjes së “të gjitha shkaqeve themelore të konfliktit”.

Këto janë qëndrime që Moska i ka përsëritur vazhdimisht gjatë luftës, e cila tashmë po zgjat më shumë se katër vjet e gjysmë.

Witkoff dhe Kushner, të cilët në emër të presidentit Donald Trump vizituan Moskën për herë të parë që nga janari, nuk dhanë asnjë koment.

“Bisedime jashtëzakonisht të dobishme për të dyja palët”

“Bisedimet shkuan përtej një shkëmbimi të thjeshtë pikëpamjesh mbi zgjidhjen e krizës ukrainase. U diskutuan më hollësisht çështjet ekonomike dhe projektet e mundshme të mëdha ruso-amerikane me interes të ndërsjellë”, tha Ushakov.

“Në përgjithësi mund të thuhet se negociatat ishin të zhvilluara në kohën e duhur dhe jashtëzakonisht të dobishme për të dyja palët.”

I dërguari i Putinit për investime, Kirill Dmitriev, më pas shkroi në platformën X se bëhej fjalë për një “vizitë të rëndësishme paqeruajtëse”.

Edhe Dmitriev, edhe Ushakov morën pjesë në takim.

Mesazhet e Putinit në fillim të takimit me njerëzit e Trumpit

Në një deklaratë televizive në fillim të bisedimeve, Putin vlerësoi përpjekjet e Trumpit për t’i dhënë fund luftës, e cila po zgjat prej katër vjetësh e gjysmë.

Presidenti amerikan të premten kishte lënë të kuptohej se Uashingtoni ka një propozim të ri për përfundimin e luftës, por nuk dha hollësi.

“Edhe pse është i vetëdijshëm se po hyn në një situatë të vështirë, ai nuk heq dorë nga përpjekjet për të ndihmuar në arritjen e një marrëveshjeje dhe për të kontribuar në zgjidhjen e konfliktit ruso-ukrainas”, tha Putin, duke e cilësuar situatën në Ukrainë si të vështirë.

Të dërguarit amerikanë u larguan nga Moska menjëherë pas bisedimeve, ndërsa të dielën pritet të takohen në Kiev me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

Sulme të reja ndaj Kievit pavarësisht armëpushimit të paralajmëruar

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, kishte deklaruar më herët se Putin i kishte urdhëruar ushtrisë ruse të mos e sulmonte Kievin për tri ditë për shkak të vizitës së të dërguarve amerikanë.

Gjatë dhjetë ditëve të fundit Rusia ka sulmuar pareshtur kryeqytetin ukrainas me raketa dhe dronë, përfshirë edhe një sulm të premten ndaj selisë së shërbimit ukrainas të sigurisë SBU.

Ukraina, gjatë verës, ka kryer goditje të rënda ndaj rafinerive ruse, terminaleve të naftës dhe depove të kompanisë së tregtisë elektronike Wildberries, në përpjekje për t’ia rritur Moskës koston e vazhdimit të luftës.

Zelensky tha se Kievi është i gatshëm të përmbahet nga sulmet ndaj Moskës deri të hënën.

Hendek i thellë për kushtet e përfundimit të luftës

Mes Rusisë dhe Ukrainës vazhdon të ekzistojë një hendek i madh lidhur me mënyrën se si duhet të përfundojë lufta, më vdekjeprurësja në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Një burim i afërt me Kremlinin, i cili foli para se të shfaqeshin raportimet për vizitën e të dërguarve të Trumpit, tha se Putin mbetet i vendosur të pushtojë edhe më shumë territor.

“Nuk ka perspektivë për arritjen e një marrëveshjeje për vijën e frontit derisa Putin të përfundojë marrjen e pjesës së mbetur të rajonit të Donetskut”, tha burimi për Reuters.

Ai shtoi se udhëheqësi i Kremlinit, bazuar në raportimet e komandantëve të tij, është i bindur se kjo do të ndodhë deri në fund të vitit.

Analistët ushtarakë perëndimorë e konsiderojnë një skenar të tillë pak të mundshëm, duke pasur parasysh ritmin e ngadaltë të përparimit rus.

Ukraina refuzon të dorëzojë territorin që e ka mbrojtur me sukses, me sakrifica të mëdha, dhe kushte të tilla i konsideron të barasvlershme me kapitullimin.

Kremlini deklaroi të premten se qëndrimi i Putinit, i paraqitur në një fjalim para dy vjetësh, sipas të cilit Ukraina duhet t’ia dorëzojë Rusisë të gjithë territorin e katër rajoneve mbi të cilat Moska pretendon sovranitet dhe të heqë dorë nga synimi për t’u anëtarësuar në NATO, mbetet “i palëkundur”.

Që nga negociatat e fundit të paqes mes Rusisë dhe Ukrainës në shkurt, të zhvilluara me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara, të dyja palët kanë intensifikuar sulmet ajrore me rreze të gjatë në thellësi të territorit kundërshtar, ndërsa është përshkallëzuar edhe lufta në det.

Kategoritë
BotaLajme