Putin paralajmëron për “përpjekjet e Perëndimit për ta ndarë Rusinë dhe për ta nënshtruar”

Presidenti rus Vladimir Putin ka akuzuar Perëndimin për përpjekje të supozuara për të ndarë Rusinë përmes narrativës së “dekolonizimit”, me qëllim që pjesët e saj t’i vendosë nën kontrollin e vet. Ai këtë e deklaroi gjatë një mbledhjeje të Këshillit për Marrëdhënie Ndër-etnike në Moskë.

“Sot po flitet gjithnjë e më shpesh për një lloj ‘dekolonizimi’ të Rusisë, gjë që në thelb nënkupton copëtimin e vendit tonë dhe shkaktimin e një disfate strategjike. Madje, kanë shpikur edhe një term të veçantë: ‘post-Rusia’ – që do të thotë territor pa sovranitet, i ndarë në fragmente të vogla nënshtruar Perëndimit,” tha Putin.

Sipas tij, ky diskurs nuk është i ri, por po paraqitet në forma të reja. Ai shtoi se plane të tilla nuk kanë pasur sukses as dekada më parë, as shekuj më parë, duke i cilësuar si përpjekje të dështuara për të minuar unitetin rus.

Në analizat akademike mbi kolonializmin, Rusia shpesh përshkruhet si një perandori kontinentale që, ndryshe nga fuqitë perëndimore, nuk ka pasur koloni përtej detit, por është zgjeruar duke nënshtruar popujt fqinj në Evropën Lindore, Siberi, Kaukaz dhe Azinë Qendrore.

Kategoritë
BotaLajme