Putin me deklaratën e tij zemëroi Perëndimin: Thotë se kriza në Ukrainë nuk u shkaktua nga lufta, përmend “grushtin e shtetit perëndimor”

Për krizën në Ukrainë nuk është përgjegjëse pushtimi rus, por “grushti i shtetit në Kiev i inicuar nga Perëndimi”, deklaroi presidenti rus Vladimir Putin në samitin e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait në Kinë.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, edhe para fjalimit të Putinit, tha se vendi i tij do të vazhdojë të mbrohet.

Duke folur për luftën në Ukrainë, Putin sipas agjencisë TASS tha:
“Kjo krizë nuk ka lindur për shkak të ‘sulmit rus ndaj Ukrainës’, por për shkak të grushtit të shtetit në Ukrainë që u mbështet dhe u provokua nga Perëndimi, e më pas përpjekjeve që me ndihmën e forcave të armatosura t’i nënshtroheshin ato rajone dhe njerëz që nuk e pranuan e as nuk e mbështetën këtë grusht shteti.”

Putin luftën në Ukrainë vazhdimisht e quan “krizë”. Kremlini që nga fillimi i pushtimit shmang që ta quajë konfliktin “luftë”, duke e përshkruar si “operacion ushtarak special”.

Me këto pretendime, presidenti rus mohon realitetin, pasi protestat në Kiev dhe qytete të tjera ukrainase në dhjetor 2013 shpërthyen pasi presidenti pror rus Viktor Janukoviç refuzoi të nënshkruante marrëveshjen e asociimit me Bashkimin Evropian. Protestat ishin spontane dhe nuk u dirigjuan nga jashtë.

Si arsye shtesë e konfliktit, Putin përmendi edhe “përpjekjet e vazhdueshme të Perëndimit për ta futur Ukrainën në NATO”. Ai theksoi se gjatë “grushtit të shtetit” të vitit 2014 u rrëzua udhëheqja politike që kundërshtonte anëtarësimin e Ukrainës në NATO.

Por interesi për anëtarësim në NATO, i cili më pas u konfirmua edhe kushtetuesisht, u rrit ndjeshëm pikërisht pasi Rusia aneksoi në mënyrë të paligjshme Krimenë dhe shkaktoi konfliktin në Donbas, duke furnizuar masivisht me armë e ushtarë separatistët e drejtuar nga agjentët rusë.

“Të eliminohen shkaqet e krizës”

Putin në Tianjin përsëriti se është e nevojshme të arrihet një zgjidhje e qëndrueshme, pra “të hiqen shkaqet themelore të krizës”. Deklaratat e tij tregojnë se ai nuk është i gatshëm për kompromis. Ai më herët ka nënvizuar se Ukraina duhet të dorëzojë një pjesë të territorit dhe të mbetet neutrale me një ushtri të dobët.

Pas sulmeve ruse të së enjtes, Zelensky kujtoi se të hënën skadon afati dyjavor që presidenti amerikan Donald Trump i kishte dhënë Putinit për të pranuar bisedimet. Diçka të ngjashme deklaroi javën e kaluar edhe presidenti francez Emmanuel Macron, duke shtuar se refuzimi i Putinit do të tregonte se ai vetëm “po luan” me Trumpin.

“Ne do të vazhdojmë me operacionet tona aktive saktësisht ashtu siç e kërkon mbrojtja e Ukrainës. Forcat dhe burimet janë gati,” tha Zelensky për France 24. Rusia javën e kaluar kreu një sulm ajror masiv mbi Ukrainë, veçanërisht mbi Odesën dhe Detin e Zi.

Presidenti amerikan Donald Trump të premten për The Daily Caller paralajmëroi se luftimet nuk duhet të ndalen menjëherë: “Mund të vazhdojnë edhe për pak kohë. E dini, thjesht vazhdojnë të luftojnë, në mënyrë të marrë vazhdojnë të luftojnë.”

Trump përsëri e krahasoi Putinin dhe Zelenskyn me fëmijë që zihen në një shesh lojërash, krahasim që e kishte bërë edhe më herët. Ai tha se është i mundur zhvillimi i bisedimeve trepalëshe me të dy liderët, ndërsa për bisedimet bilaterale (vetëm Putin–Zelensky) ishte më i rezervuar. Kancelari gjerman Friedrich Merz javën e kaluar deklaroi se lufta mund të vazhdojë edhe për shumë muaj.

Zelensky të premten refuzoi propozimin për krijimin e një zone tampon mes dy palëve, shkruan BBC: “Vetëm ai që nuk e kupton zhvillimin teknologjik të luftës së sotme mund të propozojë zonë tampon.” Sipas tij, sistemet e artilerisë tashmë janë të vendosura mbi 10 km larg, ndërsa e gjithë zona monitorohet nga dronët. Liderët evropianë më herët kishin hedhur idenë për një zonë tampon 40 km të gjerë në kuadër të një armëpushimi ose marrëveshjeje afatgjatë.

Rusia, megjithatë, aktualisht fajëson vendet evropiane se po e zgjasin luftën duke vazhduar ta mbështesin Ukrainën kundër agresionit rus.

 

Kategoritë
BotaLajme