Punëtorët italianë paralajmërojnë Izraelin: Nëse humbasim kontaktin me anijet tona, asnjë gozhdë nuk do t’ju arrijë më

Një flotilje e re ndihmash për Gazën u nis të dielën nga Gjenvja (Genova), ndërsa një punëtor portual paralajmëroi se, nëse ndërpritet komunikimi me flotiljen, punëtorët e portit do të bllokojnë menjëherë të gjitha dërgesat për Izraelin.

Anijet do t’i bashkohen ekspeditës Global Sumud Flotilla, e cila të dielën u nis nga Barcelona në përpjekje për të shpërndarë ndihmë humanitare përmes bllokadës izraelite.

Duke folur në një tubim në doket e Gjenvës, një punëtor portual që përfaqëson sindikatën USB tha se, nëse komunikimi me flotiljen ndërpritet “qoftë edhe për vetëm 20 minuta”, punëtorët e portit do të bllokojnë menjëherë të gjitha dërgesat për Izraelin, pa marrë parasysh përmbajtjen e tyre.

“Rreth mesit të shtatorit këto anije do të mbërrijnë pranë brigjeve të Gazës. Nëse humbasim kontaktin me anijet tona, me shokët tanë, qoftë edhe për vetëm 20 minuta, do ta mbyllim tërë Evropën. Nga ky rajon çdo vit shkojnë nga 13 deri në 14 mijë kontejnerë për Izraelin, dhe asnjë gozhdë nuk do të shkojë më,” tha punëtori i portit, pamjet e të cilit u përhapën gjerësisht në internet dhe në mediat italiane, por identiteti i tij nuk u zbulua.

Global Sumud Flotilla është sfida e katërt dhe më e madhja këtë vit ndaj bllokadës izraelite, me 20 anije dhe mbi 300 anëtarë ekuipazhi, përfshirë aktivisten suedeze Greta Thunberg dhe aktorin irlandez Liam Cunningham, që u nisën nga Barcelona.

Misioni vjen në një kohë kur Gaza po përballet me një katastrofë humanitare në rritje, ndërsa agjencitë e OKB-së paralajmërojnë për uri në gjithë rajonin.

Në Gjenvë, gjatë një fushate të mbledhjes së ushqimeve, u siguruan mbi 300 tonë ndihma humanitare. Të shtunën, mbi 40.000 njerëz, përfshirë edhe kryetaren e bashkisë Silvia Salis, morën pjesë në marshime me pishtarë nëpër rrugë në shenjë mbështetjeje për misionin.

“Çdo ditë jam krenare që jam kryetarja e këtij qyteti, por sonte, nëse është e mundur, jam edhe më krenare,” tha Salis.

 

Kategoritë
BotaLajme