Publikohet audio-incizimi: “10 mijë euro edhe del prej lojës”, si e shantazhoi “gazetari” familjarin e Fadil Nurës

Tafil Smajli është arrestuar ditën e djeshme nga Policia e Kosovës. Ai dyshohet se ka shantazhuar familjarin e kryetarit të Skenderajt, Fadil Nura. Smajli siç merr vesh Insajderi i ka kërkuar Betim Lushtakut 10 mijë euro. Ai e ka kërcënuar atë se do të publikoj në portalin e tij një video nëse nuk ja jep parat.

Tafil Smajli, i cili menaxhon portalet “Prishtina Sot” dhe “Skenderaj Press” dyshohet se ka shantazhuar Betim Lushtakun se nëse nuk i jep atij 10 mijë euro do ta publikoj një video. Me këtë ai synonte që të ia prish imazhin dhe integritetin atij.

Gazeta Insajderi ka arritur të siguroj një audio incizim ekskluziv nga biseda mes Smajlit dhe Lushtakut.

Tafil Smajli aty dëgjohet duke i thënë Lushtakut “10 mijë euro edhe del prej lojës“. Ndërsa ky i fundit kërkon siguri se pasi të ia jap paratë nuk do të publikoj Smajli asgjë.

Lushtaku: Qetë 10 mijëshe në rrëgull vëlla, çka nëse më lypni diçka më shumë ju?

Smajli: O shoku jem mos u merr, kur tham diçka ajo punë përfundon, unë të garantoj shoki jem që ti je jashtë lojës, tani kam punë me tjetër kanë.

Lushtaku: Me dal tani më mi lyp 20 mijë.

Smajli: Shoku jem, a je tu kuptu ti je i daltë jashtë lojë, me qet 10 mijshe unë e msheli me ty, nuk merrem me ty.

Biseda e plotë:

Lushtaku thotë se ishte një video e inskenuar

Lidhur me këtë Gazeta Insajderi ka kontaktuar edhe me Betim Lushtakun, ai tha se Smajli e ka kërcënuar me një video të inskenuar.

“Po më ka shantazhuar duke kërkuar 10 mijë euro. Video për të cilën ai ka folur ishte inskenim”, tha ai.

Ndaj Tafil Smajlit Prokuroria Themelore e Mitrovicës ka kërkuar paraburgim.

Prokuroria Themelore e Mitrovicës ka filluar hetimet për këtë rast. Për të pandehurin është kërkuar caktimi i masës së paraburgimit“, thuhet në përgjigjen e dhënë për Insajderin.

Rasti është konfirmuar edhe nga policia , ku mes tjerash bëhet me dije që shantazhuesit kërkonte para për mos publikimin e një video.

“SHANTAZH Skenderaj / 10.01.2024 – 14:42. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që dyshohet se ka shantazhuar viktimën mashkull kosovar duke kërkuar para për mos publikim të një video. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, bëhet me dije nga Policia.

Reagimi publik i Fadil Nurës

Kryetari i Skenderajt, Fadil Nura ka dje reaguar pas arrestimit të Tafil Smajlit

Ai përmes një reagimi në Facebook, mes tjerash kishte shkruar “Zotohem para jush se as nuk frikësohem e as nuk shantazhohem kundrejt askujt!”.

Nura përmendi se janë një grup shantazhuesish që brenda të cilit mund të ketë ka figura publike.

“Me keqardhje ndaj të gjithëve që janë ndjerë të shqetësuar nga lajmet e sotme ku u apostrofua emri im, lidhur me përpjekjet e një grushti shantazhuesish (brenda të cilit mund të ketë figura me përgjegjësi publike) të lidhur për një qëllimi të përbashkët kriminal – material dhe politik, sot filluan të përfundojnë në pranga të policisë!”, tha i pari i Skenderajt.

 

Kategoritë
LajmeVendi