“Është koha që bota të dëshmojë se drejtësia dhe të drejtat ekzistojnë. Përndryshe, çfarë dobie kanë OKB-ja dhe institucionet e tjera ndërkombëtare nëse nuk arrijnë ta ndalojnë këtë krim?”, tha aktivisti Omar Assaf
Palestinezët në Bregun Perëndimor të pushtuar mbajtën protestë duke kërkuar që komuniteti ndërkombëtar të ndërmarrë veprime për t’i dhënë fund urisë së shkaktuar nga Izraeli në Rripin e Gazës, raporton Anadolu.
Me thirrjen e organizatave palestineze të shoqërisë civile, dhjetëra palestinezë u mblodhën përpara misionit të OKB-së në Ramallah. Protestuesit mbajtën pankarta që dënojnë krimet e vazhdueshme të Izraelit në Gaza dhe heshtjen e komunitetit ndërkombëtar.
Duke folur për gazetarin e AA-së, aktivisti palestinez Omar Assaf tha: “Mesazhi ynë sot si ai i të gjithë palestinezëve, është se ka ardhur koha që bota dhe OKB-ja të ndërmarrin veprime për të ndaluar krimet e Izraelit, përfshirë gjenocidin, urinë dhe shkatërrimin e infrastrukturës, të cilat i ka kryer për gati 23 muaj”.
Gjithashtu, Assaf reagoi ndaj heshtjes së institucioneve ndërkombëtare. “Është koha që bota të dëshmoje se drejtësia dhe të drejtat ekzistojnë. Përndryshe, çfarë dobie kanë OKB-ja dhe institucionet e tjera ndërkombëtare nëse nuk arrijnë ta ndalojnë këtë krim?”, tha ai.
“Popujt e botës qëndrojnë me ne dhe u bëjnë presion qeverive të tyre që të ndalojnë këtë krim izraelit, të paprecedentë në kohët moderne”, shtoi Assaf.
Izraeli e ka zhytur Rripin e Gazës në uri duke mbyllur kalimet kufitare dhe duke bllokuar hyrjen e ndihmave që nga 2 marsi. Njerëzit në Rripin e Gazës vdesin çdo ditë nga uria, ndërkohë që në anën tjetër të kufirit presin mijëra kamionë me ndihma.
Klasifikimi i Fazës së Sigurisë Ushqimore të Integruar (IPC) i OKB-së, në raportin e tij të publikuar më 22 gusht njoftoi se në qytetin e Gazës po përjetohet uri dhe se ajo mund të përhapet në Deir al-Balah dhe Khan Younis deri në fund të shtatorit.
Ministria palestineze e Shëndetësisë në Gaza njoftoi sot se nëntë palestinezë të tjerë, përfshirë tre fëmijë, vdiqën nga uria dhe kequshqyerja në 24 orët e fundit, duke e çuar numrin e të vdekurve nga uria që nga 7 tetori 2023, në 348 prej të cilëve 127 janë fëmijë.