Protesta të mëdha të studentëve sot në Beograd: Dy kërkesa të refuzuara nga Vuçiq

Në Beograd, sot mbahet një protestë e madhe studentore me moton “Shihemi në Vidovdan”, e cila nis në orën 18:00 në sheshin Slavija dhe do të zgjasë deri në orën 21:00.

Në kuadër të programit të protestës do të ketë 16 minuta heshtje në kujtim të viktimave nga shembja e mbulesës në Novi Sad, do të intonohet himni dhe do të mbahen fjalime nga studentët pjesëmarrës.

Studentët, të cilët janë në bllokadë të institucioneve të arsimit të lartë në Beograd, i kanë drejtuar një letër të hapur Qeverisë së Serbisë, duke paraqitur dy kërkesa të reja dhe duke dhënë ultimatum që ato të plotësohen deri në orën 21:00 të datës 28 qershor 2025.

Kërkesat e studentëve janë:

  1. Qeveria, në përputhje me nenin 109 të Kushtetutës së Republikës së Serbisë, t’i propozojë presidentit të shpërndajë Kuvendin Popullor dhe të shpallen zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.
  2. Qeveria t’i bëjë apel Ministrisë së Punëve të Brendshme që të ndalojë mbajtjen e tubimeve të paralajmëruara në Parkun Pionir dhe rrugën “Trg Nikole Pašića”, në përputhje me nenin 18 të Ligjit për Tubime Publike.

Presidenti Aleksandar Vuçiq i refuzoi këto kërkesa një ditë më parë, duke deklaruar:
“S’ka nevojë të prisni deri nesër në ora 21. Serbia nuk pranon ultimatume, as nga fuqitë e mëdha, e as nga shërbyesit e tyre të brendshëm.”

Protestat e studentëve kanë nisur më 1 nëntor të vitit të kaluar, pas shembjes së stacionit hekurudhor në Novi Sad ku humbën jetën 16 persona. Protesta më e madhe deri më tani ishte ajo e mbajtur më 15 mars në Beograd.

Kategoritë
LajmeRajoni