Mijëra njerëz që protestonin kundër deportimeve masive të planifikuara nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, marshuan të dielën në Kaliforninë jugore, përfshirë edhe qendrën e Los Anxhelosit, ku demonstruesit bllokuan për disa orë autostradën kryesore.
Demonstruesit u mblodhën në mëngjes në rrugën historike Olvera në Los Anxhelos, e cila daton nga koha e sundimit spanjoll dhe meksikan, përpara se të shkonin drejt ndërtesës së këshillit të qytetit. Ata bënin thirrje për reformë të emigracionit dhe mbanin pankarta me slogane si “Askush nuk është i paligjshëm.”
Deri në pasdite, demonstruesit kishin bllokuar të gjitha korsitë në autostradën U.S. 101, duke shkaktuar një trafik të dendur në të dy drejtimet dhe në rrugët lokale. Demonstruesit u ulën në mes të rrugës, ndërsa një kordon policor nga patrulla e autostradës kaliforniane qëndronte mënjanë. U deshën më shumë se pesë orë që autostrada të hapej plotësisht përsëri.
Patrulla e Autostradës së Kalifornisë (CHP) dhe Departamenti i Policisë së Los Anxhelosit njoftuan se nuk ka pasur raportime për arrestime.
Në lindje, qindra njerëz protestuan në qytetin Riverside. Shoferët e makinave që kalonin aty pranë bënin me borinë dhe thërrisnin në mbështetje të demonstruesve që tundnin flamuj në një kryqëzim, raportoi Southern California News Group.
Në San Diego, qindra njerëz u mblodhën pranë qendrës së kongreseve të qytetit të dielën.
Në Teksas, demonstruesit u mblodhën në qendër të Dallasit në dy protesta të dielën kundër arrestimeve të fundit nga Shërbimi i Emigracionit dhe Doganave të SHBA-së (ICE). Policia e Dallasit i tha agjencisë Associated Press se në të dy tubimet u mblodhën rreth 1.600 njerëz.
Pjesëmarrësit e marshit mbanin flamuj meksikanë dhe amerikanë, ndërsa folësit shprehën zemërim ndaj retorikës së Trumpit dhe veprimeve të administratës së tij për të rritur deportimet.
Ndër pankartat që demonstruesit mbanin, njëra shkruante: “Emigrantët e bëjnë Amerikën të madhe.”