Prokuroria kërkon paraburgim ndaj djalit dhe babait për vrasjen e imamit në Dragash

Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar caktimin e paraburgimit ndaj B.H. dhe I.H. lidhur me rastin e vrasjes së rëndë të imamit në fshatin Zlipotok të Dragashit.

Sipas Prokurorisë, B.H. dyshohet se më 29 qershor, pas një mosmarrëveshjeje për një pronë, e ka privuar nga jeta G.T. me mjet të mprehtë.

Ndërkaq, I.H., babai i të dyshuarit, dyshohet për veprën penale “Mosdhënia e ndihmës”, pasi nuk i ka ofruar ndihmë viktimës.

Komunikata:

Kërkohet paraburgim ndaj dy të pandehurve lidhur me rastin e vrasjes në Zlipotok të Dragashit

Prizren, 01 Korrik 2026 – Prokuroria Themelore në Prizren, njofton opinionin publik se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prizren, caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve B.H., dhe I.H., lidhur me rastin e vrasjes së rëndë në fshatin Zlipotok, Komuna e Dragashit.

Sipas kërkesës, i pandehuri B.H., më 29.06.2026, rreth orës 23:00, në fshatin Zlipotok, Komuna e Dragashit, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin G.T. Sipas hetimeve të deritanishme, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur si pasojë e një mosmarrëveshjeje të mëhershme ndërmjet të pandehurit dhe viktimës lidhur me shfrytëzimin e një prone (livadhi). I pandehuri B.H., i ka shkaktuar viktimës lëndime me mjet të mprehtë (thikë), si pasojë e të cilave G.T., ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes. Me këto veprime, B.H., ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ndërkaq, i pandehuri I.H., (babai i të pandehurit B.H.) dyshohet se, edhe pse ka qenë në afërsi të vendit të ngjarjes dhe ka pasur mundësi të ofrojë ndihmë pa rrezikuar veten apo të tjerët, nuk ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për t’i ofruar ndihmë viktimës, e cila ndodhej në rrezik të drejtpërdrejtë për jetën. Me këto veprime, I.H., ka kryer veprën penale “Mosdhënia e ndihmës” nga neni 188, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi