Profesori i Harvardit, Steven Pinker: Njerëzimi është në një gjendje shumë më të mirë sesa mendohet

Profesori i Universitetit të Harvardit, Steven Pinker, argumenton se gjendja aktuale e njerëzimit është shumë më pozitive sesa paraqitet zakonisht në media apo perceptohet në opinionin publik.

Ai thekson se jeta e njeriut është zgjatur ndjeshëm: “Për pjesën më të madhe të historisë njerëzore, jetëgjatësia në lindje ishte vetëm 30 vjet. Sot, mesatarja globale është 70 vjet, dhe në vendet e zhvilluara edhe më shumë.” Përveç kësaj, thekson se bota është më e pasur dhe më pak e varfër se më parë – përqindja e njerëzve që jetojnë në varfëri ekstreme është më e ulëta ndonjëherë.

Kriminaliteti dhe dhuna janë në rënie, sipas tij, dhe përkundër dallimeve mes vendeve, niveli i lumturisë globale është më i lartë se në të kaluarën.

Pinker pranon se bota përballet me sfida të mëdha si luftërat, ndryshimet klimatike dhe zhvendosjet me forcë, por insiston se civilizimi njerëzor është në lulëzim. Ky zhvillim, sipas tij, nuk është i barabartë në çdo pjesë të botës dhe nuk ndodh gjithmonë në mënyrë lineare.

Ai vëren se në tri vitet e fundit ka pasur një regres, për shkak të luftës në Ukrainë dhe konflikteve në Etiopi, Sudan dhe Rripin e Gazës. Kjo ka zbehur shumë nga përparimi i dekadave të fundit, por gjithsesi jemi, siç thotë, më mirë se në vitet 1960, 1970 dhe 1980 – për të mos folur për dy luftërat botërore.

Demokracia nuk është në kulmin historik të saj, shton Pinker, duke vlerësuar se kulmi ishte rreth 20 vjet më parë. Megjithatë, sipas tij, bota është ende më demokratike se çka qenë në dekadat e mëhershme.

Ai kritikon mënyrën si media mbulon realitetin botëror, duke theksuar se lajmet negative dominojnë sepse tragjeditë ndodhin papritur, ndërsa progresi kërkon kohë dhe shpesh mbetet i pavërejtur.

“Për të ndërtuar diçka të mirë duhet kohë, ndërsa për ta shkatërruar, mjafton një sekondë”, thekson ai, duke shtuar se mosprania e një krimi nuk është lajm – prandaj lajmet janë të prirura të japin një pamje më të errët të botës.

Përparimi demokratik është thelbësor, sipas Pinker, sepse liria sjell më shumë lumturi, barazi dhe cilësi më të lartë jetese. Ai kujton se në vitet ’70 kishte vetëm 33 demokraci në botë. Sot, pjesa më e madhe e Evropës dhe Amerikës Latine që dikur ishin nën regjime totalitare, janë demokraci funksionale.

Ai gjithashtu thekson roli stabilizues të tregtisë: shtetet që kanë marrëdhënie tregtare janë më pak të prira të hyjnë në luftë, pasi “nuk do të donit të vrisnit klientin tuaj”.

Në fund, Pinker paralajmëron për rreziqet e fatalizmit dhe cinizmit, apo prirjes për t’i rrënuar institucionet vetëm sepse herë pas here ato dështojnë. Ai thekson rëndësinë e ruajtjes së progresit dhe të vetëdijes se shumë prej të mirave të sotme janë fituar përmes betejash të vështira në të kaluarën.

“Është mirë të jemi të vetëdijshëm për problemet, por jo të jetojmë me ndjesinë se gjithçka është tmerr dhe nuk ka shpresë,” përfundon ai.

Kategoritë
BotaLajme