Tregjet e kriptovalutave mund të përjetojnë një rritje të fortë nëse Rezerva Federale e SHBA vendos të ulë normat e interesit, sipas Tom Lee, kryetari i kompanisë së njohur të minierës digjitale BitMine.
Në një intervistë të fundit, Lee theksoi se një ulje e mundshme e normave nga FED gjatë muajve të ardhshëm mund të jetë katalizatori i një “rally”-je të fuqishme për kriptovalutat kryesore si Bitcoin dhe Ethereum, duke parashikuar një periudhë tre-mujore me rritje të fuqishme të çmimeve, raportojnë mediat.
“Bitcoin dhe Ethereum janë ndër asetet që reagojnë më shpejt ndaj politikave monetare. Nëse FED ndryshon kursin dhe fillon të lehtësojë, atëherë tregu do të shpërthejë”, u shpreh Lee.
Ky i fundit bëri krahasime me ngjarje të ngjashme në të kaluarën, veçanërisht me shtatorin e vitit 1998 dhe më vonë me shtatorin e vitit 2024, ku uljet e normave nga FED u pasuan nga rritje të mëdha në tregjet financiare.
Ai argumenton se kjo histori mund të përsëritet, duke ofruar mundësi të mëdha fitimi për investitorët e kriptomonedhave.
Sektoret që pritet të përfitojnë përveç kriptovalutave, Lee përmendi edhe Indeksi Nasdaq 100, veçanërisht kompanitë e teknologjisë dhe inteligjencës artificiale, aksionet me kapital të vogël, dhe sektori financiar.
Tregjet po presin me vëmendje mbledhjen e ardhshme të Rezervës Federale, ku spekulohet një ulje e mundshme me 25 pikë bazë, që do ta çonte normën e interesit në intervalin 4.00 – 4.25 për qind.
Nëse kjo ndodh, sipas Lee, kriptomonedhat mund të hyjnë në një fazë të re rritjeje, duke bërë që investitorët të rikthejnë besimin e humbur gjatë luhatjeve të fundit në treg.
