“Prezenca policore te komunat në veri është zvogëluar, po punohet për zgjedhje”

“Prezenca policore te komunat në veri është zvogëluar, po punohet për zgjedhje”

Presidentja Vjosa Osmani ka theksuar se prezenca e Policisë së Kosovës në dhe rreth objekteve komunale në veri të vendit është zvogëluar dhe se po punojnë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat atje.

Këto Osmani i tha në një takim me zv.ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Mehmet Kemal Bozay.

Presidenca thotë se Osmani diskutoi me Bozay hapat konkret të cilat i kanë ndërmarrë institucionet e Kosovës për shtensionimin e situatës.

“Në raport me zhvillimet politike dhe të sigurisë në vend, Presidentja Osmani diskutoi edhe për hapat konkret të ndërmarra nga institucionet e Kosovës për shtensionimin e situatës në veri të vendit në përputhje me dakordimin në Bratislavë. Presidentja Osmani theksoi se prezenca e Policisë Speciale të Kosovës në objektet komunale dhe rreth tyre në veri tashmë është zvogëluar, ndërsa po vazhdon puna për plotësimin e infrastrukturës ligjore për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat e veriut nëpërmjet peticionit të qytetarëve”, thuhet në komunikatën e Presidencës.

Një grup zyrtarësh po punojnë tashmë për ta hartuar një udhëzim administrativ që do t’i hapte rrugë zgjedhjeve të reja në veri të vendit duke i larguar fillimisht kryetarët aktualë nga detyrat. Për ta përgatitur dokumentin kanë kohë deri më 1 shtator. Kryesuesi i këtij grupi pati thënë tha se kjo punë do të kryhet shpejt.

Qeveria Kurti duket e përkushtuar për të vazhduar edhe tërheqjen e policëve larg ndërtesave komunale në veri, dy muaj pasi me ndihmë të Policisë, kryetarët e zgjedhur shqiptarë atje u futën në zyrat e tyre.

Kategoritë
LajmeVendi
Reklamë: ABE Kosova