Ismaili ka prezantuar vizionin e tij për BQK-në, si dhe nxitjen e rritjes së qëndrueshme të bazuar në përkushtimin ndaj shërbimit publik, efikas dhe transparent
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, pas vendimit të Kuvendit të Kosovës, ka dekretuar guvernatorin e ri të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, transmeton Anadolu.
Siç njofton Zyra e Presidentes, Osmani e ka uruar guvernatorin Ismaili për përzgjedhjen nga Kuvendi i Kosovës, duke i dëshiruar suksese në realizmin e detyrave dhe përgjegjësive, të cilat burojnë nga kjo pozitë e rëndësishme.
Sipas Presidentes Osmani, Kushtetuta, ligjet, integriteti dhe profesionalizmi duhet të jenë udhërrëfyes përgjatë punës në institucionet shtetërore.
Ndërkaq Ismaili ka prezantuar vizionin e tij për BQK-në, si dhe nxitjen e rritjes së qëndrueshme të bazuar në përkushtimin ndaj shërbimit publik, efikas dhe transparent.
Në seancën plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të mbajtur me datë 13 korrik 2023, Ahmet Ismaili u zgjodh Guvernator i ri i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës. Në votim morën pjesë 61 deputetë, ku Ahmet Ismaili mori 56 vota.
