Presidentja e Kosovës Osmani priti në takim kryediplomaten shqiptare Xhaçka

Presidentja e Kosovës Osmani priti në takim kryediplomaten shqiptare Xhaçka

Presidentja Osmani ka potencuar rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, në funksion të lehtësimit të jetës së qytetarëve të të dy shteteve

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti në takim ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Olta Xhaçka, takim në të cilin është diskutuar fuqizimi i koordinimit në politikën e jashtme në funksion të forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në njoftimin e Presidencës së Kosovës thuhet se në këtë takim, presidentja Osmani ka potencuar rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, në funksion të lehtësimit të jetës së qytetarëve të të dy shteteve.

“Në këtë kontekst, presidentja Osmani ka theksuar vendosmërinë e institucioneve të Kosovës për rrugën euroatlantike, si dhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe organizata të tjera ndërkombëtare. Tutje, bashkëbisedueset kanë folur edhe për situatën e sigurisë në vend, rajon dhe më gjerë. Presidentja Osmani ka thënë se institucionet e Kosovës vazhdojnë të jenë plotësisht të përkushtuara për paqe, siguri dhe sundim të ligjit në gjithë territorin e Republikës. Por, sipas Presidentes Osmani, përpjekjet e Serbisë janë të vazhdueshme për destabilizimin e Kosovës, duke përdorur strukturat e saj ilegale në veri”, thuhet në njoftim.

Sipas Presidentes Osmani, Kosova vazhdon të luajë rol konstruktiv në dialogun me Serbinë, i cili duhet të jetë i përqendruar në njohjen reciproke.

Më herët gjatë ditës, kryediplomatja shqiptare Olta Xhaçka u takua edhe me homologen e saj kosovare, Donika Gërvalla-Schwarz.

Kategoritë
LajmeVendi
Reklamë: ABE Kosova