Presidenti sirian: Uniteti i Sirisë mbetet thelbi i politikës sonë të sigurisë, përçarja do të dëmtojë fqinjët

“Vizita ime në New York shënon rikthimin e Sirisë në bashkësinë ndërkombëtare”, tha Presidenti sirian, Ahmad al-Sharaa

Presidenti sirian, Ahmad al-Sharaa, përsëriti rëndësinë e ruajtjes së unitetit të Sirisë, duke paralajmëruar se çdo ndarje do të dëmtonte vendet fqinje, raportuan mediat lokale të mërkurën, transmeton Anadolu.

“Uniteti i Sirisë mbetet në thelb të politikës sonë të sigurisë dhe stabilitetit”, citoi televizioni shtetëror Al-Ikhbariya TV të ketë thënë Sharaa në një intervistë me Institutin e Lindjes së Mesme në New York.

“Çdo ndarje do të dëmtonte vendet fqinje dhe do të shqetësonte sigurinë rajonale”, pasi Siria luan një rol kyç në rajon, shtoi ai.

“Washingtoni mund të ndihmojë në integrimin e kurdëve (Forcat Demokratike Siriane) me forcat siriane”, tha presidenti sirian.

Lidhur me konfliktin e kaluar në provincën jugore Suwayda, Sharaa tha se “të gjitha palët kanë pasur disa gabime”. “Ne kemi zgjedhur pajtimin”, theksoi ai.

Presidenti sirian pohoi se u ndërmorën përpjekje diplomatike për të rritur dialogun me Izraelin.

“Suksesi i çdo marrëveshjeje me Izraelin hap rrugën për marrëveshje të tjera për të përhapur paqen në rajon”, tha Sharaa.

“Izraeli duhet të pranojë vendosjen e forcave ndërkombëtare siç u deklarua në marrëveshjen (e shkëputjes) të vitit 1974”, tha Sharaa, duke theksuar se kthimi në situatën e mëparshme të Sirisë nuk do t’i shërbente interesave të askujt.

Pas rënies së regjimit të Bashar al-Assad dhjetorin e kaluar, Izraeli ka nisur qindra sulme duke synuar vende dhe asete ushtarake në të gjithë Sirinë, duke përfshirë avionë luftarakë, sisteme raketash dhe instalime të mbrojtjes ajrore.

Izraeli gjithashtu zgjeroi pushtimin e Lartësive të Golanit në Siri duke pushtuar zonën e demilitarizuar tampon, një veprim që shkeli një marrëveshje shkëputjeje të vitit 1974 me Sirinë.

Damasku ndjek një politikë të ruajtjes së distancës së barabartë nga të gjitha vendet dhe “vizita ime në New York shënon kthimin e Sirisë në bashkësinë ndërkombëtare”, tha Sharaa.

Udhëheqësi sirian mbërriti në New York më 22 shtator për t’iu drejtuar Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, duke shënuar herën e parë që një kryetar shteti sirian e ka bërë këtë që nga viti 1967.

Kategoritë
BotaLajme