Presidenti palestinez: Njohja e Palestinës nga 6 vende, hap i rëndësishëm drejt arritjes së paqes së drejtë

“Këto njohje përbëjnë një hap të rëndësishëm dhe të nevojshëm drejt arritjes së një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme, në përputhje me rezolutat ndërkombëtare të legjitimitetit”, deklaroi Abbas.

Presidenti palestinez, Mahmoud Abbas, deklaroi se njohja e Shtetit të Palestinës nga gjashtë vende është “një hap i rëndësishëm dhe i nevojshëm në rrugën drejt një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme”, transmeton Anadolu.

Sipas agjencisë zyrtare palestineze të lajmeve WAFA, Abbas shprehu kënaqësinë e tij me njohjen zyrtare të Shtetit të pavarur dhe sovran të Palestinës nga Franca, Belgjika, Luksemburgu, Malta, Monako dhe Andorra.

“Këto njohje përbëjnë një hap të rëndësishëm dhe të nevojshëm drejt arritjes së një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme, në përputhje me rezolutat ndërkombëtare të legjitimitetit”, deklaroi Abbas.

“Kjo njohje e të drejtës së popullit palestinez për vetëvendosje, liri dhe pavarësi do të hapë rrugën për zbatimin e një zgjidhjeje me dy shtete”, tha Abbas, duke shtuar se në këtë mënyrë Shteti i Palestinës do të “jetojë në siguri, paqe dhe fqinjësi të mirë” përkrah Izraelit.

“Prioritetet tona sot janë vendosja e një armëpushimi, shpërndarja e ndihmës (në Rripin e Gazës), lirimi i të gjithë pengjeve (izraelite) dhe të burgosurve (palestinezë), tërheqja e plotë e Izraelit nga rajoni, marrja e të gjitha përgjegjësive nga Shteti i Palestinës, fillimi i një procesi rimëkëmbjeje dhe rindërtimi dhe ndërprerja e aktivitetit të kolonizimit dhe terrorizmit kolonist (nga izraelitët që uzurpojnë tokat palestineze) në Bregun Perëndimor”, tha Abbas.

Presidenti palestinez tha gjithashtu se “Shteti i Palestinës do të përmbushë të gjitha detyrimet dhe reformat që ka ndërmarrë”.

Franca, Belgjika, Luksemburgu, Malta, Monako dhe Andorra e njohën dje zyrtarisht Shtetin e Palestinës.

Kategoritë
BotaLajme