Presidenti kinez bën thirrje kundër “minimit” të statusit të Amerikës Latine si “zonë paqeje”

Presidenti kinez, Xi Jinping, zhvilloi takim me presidentin ekuadorian Daniel Noboa, i cili ndodhet për vizitë në Pekin.

Presidenti kinez, Xi Jinping, të martën bëri thirrje kundër “minimit” të statusit të Amerikës Latine dhe Karaibeve si “zonë paqeje”, transmeton Anadolu.

Xi i bëri këto deklarata gjatë një takimi me presidentin ekuadorian Daniel Noboa, i cili ndodhet për vizitë në Pekin, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze, Mao Ning, në një postim në platformën sociale amerikane X.

“E mbajmë gjithmonë qëndrimin se statusi i Amerikës Latine dhe Karaibeve si zonë paqeje nuk duhet të minohet, rruga e tyre drejt zhvillimit dhe ringjalljes nuk duhet të ndërpritet dhe ndaj së drejtës së tyre për të zgjedhur në mënyrë të pavarur partnerët e bashkëpunimit nuk duhet të ndërhyhet”, citohet të ketë thënë Xi.

Ai tha se Kina mbështet vendet e Amerikës Latine në ruajtjen e pavarësisë për të zhvilluar bashkëpunim ndërkombëtar në përputhje me interesat e tyre kombëtare dhe për të mbrojtur paqen dhe stabilitetin rajonal.

Pekini, shtoi ai, i sheh gjithmonë marrëdhëniet me Ekuadorin nga një perspektivë strategjike dhe afatgjatë dhe do të punojë me Ekuadorin për t’i çuar marrëdhëniet dypalëshe në “nivele të reja”.

Xi theksoi gjithashtu se këtë vit shënohet dhjetëvjetori i partneritetit të gjithanshëm strategjik ndërmjet Kinës dhe Ekuadorit.

Noboa mbërriti në Pekin të dielën për vizitën e tij të parë shtetërore tetëditore në Kinë.

Kina dhe Ekuadori vendosën zyrtarisht marrëdhënie diplomatike në janar të vitit 1980.

Vëllimi aktual i tregtisë dypalëshe ndërmjet dy vendeve është 17,33 miliardë dollarë.

Kategoritë
BotaLajme