Presidenti i Irlandës, Michael Higgins, ka propozuar që Izraeli dhe vendet që e furnizojnë atë me armë të përjashtohen nga Kombet e Bashkuara.
Ai e komentoi këtë të martën, pasi një ekip ekspertësh të pavarur të angazhuar nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut arriti në përfundimin se Izraeli po kryen gjenocid në Gaza.
Në një bisedë me gazetarët menjëherë pas publikimit të raportit, Higgins tha: “Mendoj se ky është një dokument shumë, shumë i rëndësishëm, dhe natyrisht, kryesuesi i këtij grupi punues kishte kryesuar edhe grupin punues për Ruandën, dhe në raport thuhet shprehimisht se janë përmbushur katër nga masat kryesore të konventës së vitit 1948 për gjenocidin.”
“Ai shkon më tej dhe sugjeron se nxitja për gjenocid ka qenë e pranishme, duke përmendur posaçërisht ata në pozita të larta që përdorin gjuhë për të nxitur dhe për të shtyrë përpara gjenocidin. Unë kam folur kaq shpesh për këtë dhe tani kur mendoj për gjithë ata njerëz të vrarë dje e sot, gjysma e tyre janë gra dhe fëmijë,” tha Higgins.
Komisioni Hetimor për territoret palestineze të okupuara dhe Izraelin, pas dy vitesh hetimesh mbi ngjarjet që nga 7 tetori 2023, arriti në përfundimin se autoritetet dhe forcat e sigurisë izraelite kanë kryer “katër nga pesë” aktet gjenocidale të përcaktuara nga Konventa e vitit 1948 për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të Gjenocidit.
Duke komentuar gjetjet e raportit, Higgins kritikoi Bashkimin Evropian (BE). “Besoj se do të jetë jashtëzakonisht e vështirë që BE-ja ndonjëherë të mbetet një union në ndonjë kuptim kur disa nga anëtarët e saj më të fuqishëm zgjedhin të heshtin duke parë fëmijë të uritur, në atë që është sulm i tmerrshëm, i shkaktuar nga njerëzit, ndaj popullit. Në raport thuhet se 90% e të gjitha banesave janë shkatërruar, institucionet arsimore të rrënuara, ndërsa qendrat shëndetësore dhe ato të fertilitetit po shkatërrohen – me fjalë të tjera, po sulmohet vetë lindja,” tha ai.
Higgins bëri thirrje që bota të rrisë presionin mbi Izraelin për të “ndalur këtë masakër” dhe “masakrën e civilëve”.