Presidenti iranian Masoud Pezeshkian ka paralajmëruar se kryeqyteti Teheran po përballet me një krizë të rëndë uji, e cila mund të detyrojë autoritetet të evakuojnë qytetin nëse nuk bie shi në javët e ardhshme.
Gjatë një vizite në Sanandaj, në perëndim të Iranit, Pezeshkian tha se vendi ndodhet në mes të një krize të kombinuar ekonomike, ekologjike dhe shoqërore. Ai pranoi se inflacioni dhe çmimet e larta janë pasojë e gabimeve të politikave të brendshme, por edhe e sanksioneve ndërkombëtare që kanë paralizuar ekonominë iraniane.
“Çmimet e larta dhe inflacioni janë përgjegjësi si e qeverisë, ashtu edhe e parlamentit. Po bëjmë përpjekje, por mungesa e fondeve po bllokon shumë projekte të rëndësishme,” tha ai për gazetën lokale Etemad.
Duke folur për krizën e ujit të shkaktuar nga thatësira, presidenti theksoi se Irani po përballet me sfida serioze natyrore, përfshirë rënien e ndjeshme të reshjeve dhe pakësimin e burimeve ujore.
“Nëse nuk bie shi, muajin e ardhshëm do të detyrohemi të kufizojmë furnizimin me ujë në Teheran. Nëse thatësira vazhdon, do të mbetemi pa ujë dhe do të jemi të detyruar të evakuojmë qytetin,” paralajmëroi Pezeshkian.
Ai e përshkroi situatën si “alarmante”, duke kërkuar menaxhim më të mirë të burimeve të ujit dhe energjisë.
Furnizimi i Teheranit varet nga pesë diga kryesore – Lar, Mamlu, Amir Kabir, Taleqan dhe Latyan, ku diga Amir Kabir është më e madhja. Por, sipas të dhënave meteorologjike, reshjet kanë rënë me 40% nën mesataren sezonale, ndërsa nivelet e ujit në rezervuarë janë në pikën më të ulët të shekullit.
Autoritetet iraniane të ujësjellësit njoftuan më 20 korrik se rezervat që furnizojnë kryeqytetin kanë arritur nivelin më të ulët historik, ndërsa restriksionet e ujit tashmë janë zbatuar gjatë muajve të verës.
Më 3 nëntor, Behzad Parsa, drejtuesi i Administratës së Ujit të Teheranit, deklaroi se rezervat aktuale mund të sigurojnë ujë vetëm për dy javë të tjera nëse moti i thatë vazhdon.
Presidenti Pezeshkian kishte paralajmëruar më herët, më 23 korrik, se nëse nuk ndërmerren masa efektive urgjente, furnizimi me ujë për popullsinë së shpejti do të bëhet i pamundur, duke e përshkruar situatën si krizën më të rëndë ekologjike që Irani ka përjetuar në dekada.


















