“Qaj kur shoh nëna që qajnë, qoftë në Gaza, në Ukrainë, në Sudan, në Libi, kudo në botë”, tha Gianni Infantino.
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, bëri thirrje për paqe në Gaza dhe zona të tjera konflikti në gjithë botën, duke thënë se qan kur sheh fëmijë që vuajnë dhe nëna që vajtojnë.
Duke folur në një aktivitet të mërkurën në New York, Infantino tha: “Ne të gjithë e dimë se jetojmë, për fat të keq, në një botë të ndarë, në një botë agresive, në një botë të komplikuar. Dhe si të gjithë ju, unë vuaj kur shoh fëmijë që vuajnë. Qaj kur shoh nëna që qajnë, qoftë në Gaza, në Ukrainë, në Sudan, në Libi, kudo në botë”.
“Ka 80 vende ku ka konflikte. Dhe të gjithë vuajmë kur shohim se çfarë po ndodh”, shtoi ai.
“Por, ashtu si shumë prej jush, edhe unë besoj se njerëzit janë në thelb të mirë dhe jo në thelb të këqij. Dhe ne duhet të besojmë te vetja jonë. Dhe, të dashur udhëheqës, ne besojmë te ju. Ne kemi nevojë për paqe në botë”, shtoi kreu i organit drejtues të futbollit botëror.
Ekspertët e OKB-së të hënën i bënë thirrje FIFA-s dhe UEFA-s që të pezullojnë ekipin kombëtar të Izraelit nga garat ndërkombëtare, duke thënë se kjo është një “përgjigje e nevojshme për të adresuar gjenocidin në vazhdim në territorin palestinez të pushtuar”.
“Konkluzioni i Komisionit Hetimor të Kombeve të Bashkuara për Territorin Palestinez të Pushtuar, përfshirë Kudsin Lindor dhe Izraelin, se Izraeli po kryen gjenocid, është i fundit në një numër gjithnjë e më të madh të organeve ndërkombëtare që po e konfirmojnë këtë”, thanë ekspertët.
Ata rikujtuan se urdhri i përkohshëm i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) më 26 janar 2024 i kujton çdo shteti detyrimin ligjor për të vepruar kundër gjenocidit.
“Sporti duhet të hedhë poshtë perceptimin se gjithçka vazhdon sikur asgjë të mos ketë ndodhur”, shtuan ata. “Organet sportive nuk duhet të mbyllin sytë ndaj shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut, sidomos kur platformat e tyre përdoren për të normalizuar padrejtësitë”, theksuan ekspertët.
Ata sqaruan se thirrja drejtohet ndaj shtetit të Izraelit dhe jo ndaj lojtarëve individualë, duke thënë: “Ne kemi theksuar gjithmonë se individët nuk mund të mbajnë pasojat e vendimeve që merr qeveria e tyre”.
Ata i bënë thirrje më tej FIFA-s që “të ndalojë legjitimimin e situatës që buron nga prania e paligjshme e Izraelit në Territorin Palestinez të Pushtuar”, duke theksuar: “Ekziston një detyrim ligjor dhe moral për të ndërmarrë çdo masë të mundshme për t’i dhënë fund gjenocidit në Gaza tani”.