Presidenti i Finlandës, Alexander Stubb, tha për Guardian se garancitë e sigurisë për Ukrainën, të cilat po i promovon koalicioni i vendeve të gatshme, do t’i detyronin shtetet nënshkruese të përballeshin ushtarakisht me Rusinë nëse Moska nis sërish agresion.
Sipas tij, këto garanci kanë kuptim vetëm nëse shoqërohen me përgjegjësi reale dhe gatishmëri për mbrojtje:
-
“Garancitë janë në thelb një mjet parandalimi. Për të qenë bindëse, ato duhet të jenë të fuqishme.”
Stubb theksoi se garancitë do të hyjnë në fuqi vetëm pas një marrëveshjeje të ardhshme mes Ukrainës dhe Rusisë, por shtoi se Moska nuk ka të drejtë vetoje mbi vendimet sovrane të shteteve të pavarura.
Ai paralajmëroi se lufta është “shumë e madhe që Putin ta humbasë”, duke e cilësuar pushtimin si “gabimin më të madh strategjik që nga fundi i Luftës së Ftohtë”. Megjithatë, Stubb u shpreh pesimist se negociatat mund të nisin së shpejti.