Operatori portugez i rrjetit, Redes Energéticas Nacionais (REN), reagoi pas ndërprerjes masive të energjisë elektrike dhe deklaroi se të gjitha ekipet janë duke punuar për të riparuar defektet.
Megjithatë, REN bëri të ditur se ende nuk është e mundur të dihet se për sa kohë Portugalia do të mbetet pa energji elektrike.
“Në këtë moment, ende nuk mund të parashikojmë se kur do të normalizohet situata. Të gjitha burimet tona janë dislokuar në terren për zgjidhjen e problemit”, njoftoi kompania portugeze.
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, deklaroi se për momentin nuk ka asnjë tregues që bëhet fjalë për një sulm kibernetik.
“Operatorët e rrjetit në Portugali dhe Spanjë po punojnë për të gjetur shkakun dhe për të rikthyer furnizimin me energji elektrike”, tha ai.
Më herët, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, zhvilloi një bisedë me kryeministrin spanjoll, Pedro Sánchez, dhe theksoi se BE-ja do të koordinojë aktivitetet për rivendosjen e energjisë elektrike.
“Konfirmova mbështetjen e Komisionit Evropian në monitorimin e situatës me autoritetet kombëtare dhe evropiane si dhe me Grupin tonë Koordinues për Energjinë Elektrike. Do të qëndrojmë në kontakt të ngushtë”, tha presidentja e Komisionit Evropian.