Kryetari i AGK-së: Rënie alarmante për 24 vende, klima e Qeverisë Kurti vazhdimisht kundër mediave

Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha, e ka cilësuar si shokues renditjen e Kosovës në indeksin e lirisë së shtypit, ku ka rënë për 24 vende, raporton Ekonomia Online.

Rexha tha se AGK e sheh këtë si reflektim i asaj që ka ndodhur vitin e kaluar dhe që ka qenë një fushatë vazhdimisht e njëjtë e Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje.

“Në emër të Bordit jemi mbledhur për ta shprehur qëndrimin tonë për rënien alarmuese të Kosovës në Reporterët pa Kufij. 24 vende më poshtë se vitin e kaluar pasi Kosova kishte rënë 19 vende më poshtë. Një rangim shokues, vendi i fundit më së keqi në Ballkan, dhe renditen disa prej arsyeve. Ligji kontestues i KPM-së që e kemi kundërshtuar nga fillimi. Etiketimet se janë bashkëpunëtorë të armikut, dhe të njëjtat po zhvillohen edhe sot. Tjetër element është mungesa e pavarësisë së RTK, siguria e gazetarëve mbetet problem, përmendet në këtë raport, rritja e padive SLAPP, dhe vëzhgimi i paautorizuar i gazetarëve”, tha Rexha.

Ai vlerësoi se klima e Qeverisë Kurti ka qenë vazhdimisht kundër mediave dhe se kjo është vërtetuar edhe me Ligjin për KPM-në, që pastaj u rrëzua nga Kushtetuesja.

“AGK-ja e vlerëson këtë renditje si rezultat, reflektim i asaj që ka ndodhur vitin e kaluar, fushatë e qeverisë së Kosovës, të udhëhequr kunër mediave. Klima e tyre është kundër mediave. Gjuha absolutisht frikësuese që ka kulmuar prej muajit nëntor-dhjetor, me afrimin e fushatës, edhe pas saj. Është momenti i fundit të reflektojmë si shoqëri, AGK-ja është e interesuar dhe bënë thirrje që në fakt të bëhemi bashkë, nëse është e nevojshme duke formuar edhe task-forcë për të adresuar këto gjetje, për të adresuar lirinë e mediave në Kosovë dhe sigurinë e gazetarëve”, tha Rexha.

Rexha shtoi se menjëherë pas publikimit të raportit dhe deklaratës, kemi parë një sërë sulmesh ndaj AGK-së, por edhe ndaj tij, që nuk është e re.

“Jemi mësuar, por nuk duhet të mësohemi. Nuk kemi nevojë që me emër e mbiemër të jemi target i njerëzve me pushtet. I dënojmë këto targetime. VV-ja duhet t’i adresojë gjetjet, para 2 vitesh ishte mirëpritur nga qeveria dhe VV-ja, e tash duhet që raporti të lexohet”, tha ai.

Ai propozoi formimin e një task force për të adresuar gjetjet e këtij raporti, teksa shtoi se janë të

gatshëm të bashkëpunojnë me të gjithë për këtë.

“Nuk kemi parë asgjë, në maj ndodhte raporti, në korrik ai u miratua. Gjuha që përmendej e papranueshme ndaj gazetarëve, vetëm u përshkallëzuar. Moment i reflektimit është për këdo që ta ndryshojë këtë. VV-ja vetëm duhet të ndalojë së targetuari gazetarët. Jemi të vetëdijshëm që ka liri të shprehjes, luftojnë çdo ditë për të, ajo që raporti vë në pah, e renditja është kaq e ulët për shkak të këtyre ndërhyrjeve”, shtoi Rexha.

Kosova e ka shënuar rënien më të madhe në 15 vjetët e fundit në indeksin vjetor për lirinë e shtypit të organizatës Reporterët pa Kufij, duke u renditur në vendin e 99-të në botë nga 180 shtete.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi