Pas bombardimeve ajrore të ushtrisë izraelite dhe fillimit të sulmeve tokësore për pushtim në qytetin e Gazës, palestinezët po shpërngulen me vështirësi drejt jugut. Në një pamje të regjistruar nga terreni shihet një fëmijë palestinez që mban vëllain mbi shpinë duke qarë gjatë shpërnguljes. Tragjedia njerëzore në Gaza po rritet dita-ditës.
Në zonën e bllokuar nga Izraeli, palestinezët po përballen me mizori të madhe.
Që nga 7 tetori 2023, për shkak të sulmeve izraelite, popullsia e Gazës – një brez i ngushtë prej rreth 360 kilometrash katrorë – është shkulur vazhdimisht nga një vend në tjetrin.
Urdhrat e ashtuquajtur “evakuim” të ushtrisë izraelite, që shoqërohen me masakra dhe uri, po e bëjnë jetën e palestinezëve edhe më të padurueshme.
E MBARTE VËLLAIN MES LOTËVE
Pamjet tronditëse nga rajoni nuk pushojnë. Në një video që u bë virale, shihet një fëmijë nga Gaza teksa shpërngulet duke qarë me vëllain e vogël mbi shpinë, ndërsa bashkëmoshatarët e tij në pjesë të tjera të botës luajnë në parqe.
88% E GAZËS NËN PUSHTIM
Me 88% të Gazës nën pushtim dhe nën urdhrat e ashtuquajtur evakuim, rreth 2,3 milionë palestinezë po shtyhen të grumbullohen në një hapësirë edhe më të vogël.
Ushtria izraelite ka intensifikuar sulmet mbi qytetin e Gazës ku janë strehuar rreth 1 milion palestinezë, duke i detyruar ata të shpërngulen me forcë.
TË DETYRUAR TË ECIN KILOMETRA TË TËRË
Palestinezët që nuk kanë automjete janë të detyruar ta përshkojnë rrugën në këmbë.
Mijëra njerëz – mes tyre të plagosur, të sëmurë, të moshuar dhe fëmijë – janë parë duke u nisur në këmbë nga qyteti i Gazës drejt jugut, pasi nuk kanë gjetur mjete transporti.
Disa udhëtojnë me karroca invalidësh, disa me paterica, duke u përpjekur të përshkojnë rreth 20 kilometra në këmbë.
Ndërkohë, fëmijët përpiqen të ndihmojnë familjet e tyre duke mbartur aq sa munden nga sendet e mbetura.