Pagesa e njëhershme prej 30 milionë eurosh për Autoritetin Palestinez, që Gjermania kishte planifikuar ta shpallte javën e ardhshme për ta lidhur me njohjen formale të shtetit palestinez nga aleatët evropianë, është shtyrë për shkak të skepticizmit të disa deputetëve.
Kjo pagesë ishte e destinuar për të siguruar pagat e mësuesve dhe punonjësve shëndetësorë në një moment kur Izraeli, i cili mbledh taksat doganore dhe të importit në emër të Autoritetit Palestinez që ushtron vetëqeverisje të kufizuar në disa pjesë të Bregut Perëndimor të pushtuar, po i mban ato mjete. Autoriteti Palestinez pretendon se Izraeli ka mbajtur rreth 3 miliardë dollarë.
Pagesën emergjente gjermane e kishte dakorduar ministrja për zhvillim Reem Alabali Radovan gjatë vizitës së saj në Lindjen e Mesme më herët këtë muaj, dhe ajo mbështetet edhe nga kancelari konservator Friedrich Merz dhe zëvendësi i tij socialdemokrat Lars Klingbeil.
Por, Alexander Hoffmann, deputet konservator, tha për gazetën gjermane Bild se anëtarët e komisionit buxhetor parlamentar kanë rezerva për këtë pagesë, e cila duhet të miratohet.
“Na duhet më shumë qartësi. Ndihma humanitare është e rëndësishme, por duhet të jetë e qartë se cilët projekte financohen. Projektet që rrezikojnë sigurinë e Izraelit duhet të përjashtohen qartë,” tha ai.
Qeveria gjermane thotë se fondet janë të nevojshme për pagat për shkak të situatës së rëndë ekonomike në zonat nën Autoritetin Palestinez që nga fillimi i luftës në Gaza.
“Administrata është në krizë të thellë financiare,” tha zëdhënësja e ministrisë së zhvillimit në konferencën e rregullt për shtyp të premten, duke shtuar se fillimi i vitit shkollor tashmë është shtyrë për këtë arsye.
Pritet që disa vende evropiane, përfshirë partnerët britanikë dhe francezë të Gjermanisë, të shpallin në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara se e njohin shtetin e Palestinës. Gjermania ka përjashtuar mundësinë e njohjes.