Udhëheqja ruse ka emëruar ish-anëtarin e shërbimeve sekrete, Sergej Beseda, që javën e ardhshme të udhëheqë bisedimet për paqe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Arabinë Saudite.
Sergej Beseda është politikan rus, gjeneral-kolonel dhe agjent shtetëror, i cili nga viti 2009 deri në qershor 2024 ka drejtuar Shërbimin e Pestë (Shërbimi për informacion operativ dhe marrëdhënie ndërkombëtare) të shërbimit informativ rus pranë Shërbimit Federal të Sigurisë (FSB).
Ai është personi kyç që në vitin 2022 ndihmoi presidentin rus Vladimir Putin të planifikonte pushtimin e Ukrainës.
Revolucioni në Ukrainë
Gjatë “revolucionit të dinjitetit” në Majdan të Kievit, në vitin 2014, ai ishte në kontakt me shërbimin informativ të Ukrainës (SBU). Detyra e tij ishte të siguronte ambasadën ruse. Kërkoi takim me presidentin e atëhershëm të Ukrainës, Viktor Janukoviç, por kjo iu refuzua. Qëndrimi i tij në Ukrainë asokohe nuk është sqaruar plotësisht deri më sot.
Në vitin 2014 u fut në listën e sanksioneve të Bashkimit Evropian dhe Mbretërisë së Bashkuar. Tetë vjet më vonë, emri i tij u shtua edhe në listën e sanksioneve të Zvicrës. Ai është shpallur person non grata edhe në Ukrainë, Australi dhe Kanada.
Agjencia opozitare ruse hulumtuese Agentura.ru raportoi në vitin 2022 për një konflikt mes Putinit dhe Besedës. Sipas informacioneve të tyre, ai ishte dërguar në burgun Lefortovo dy javë pas pushtimit për “punë të kryer keq” në Ukrainë. Një nga arsyet ishte se te presidenti rus kishin mbërritur informacione të pasakta për gjendjen e ushtrisë ukrainase para fillimit të agresionit.
Deri në qershor 2024, Beseda ka udhëhequr delegacionin rus gjatë negociatave që më pas rezultuan në shkëmbimin e të burgosurve në Ankara. Megjithatë, në qershor të 2024-ës, Vladimir Putin e shkarkoi dhe në vend të tij emëroi Aleksei Komkovin.
Kërkesat ruse
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky akuzoi Rusinë se po vendos “kërkesa të panevojshme” që vetëm sa e zgjatin luftën. Moska, të enjten, si kusht kyç për mbajtjen e negociatave të paqes theksoi ndërprerjen e plotë të ndihmës ushtarake perëndimore për Ukrainën, si dhe ndalimin e ndarjes së informacioneve të inteligjencës me Kievin.
Bisedimet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës pritet të mbahen të hënën në Riad të Arabisë Saudite. Në takim do të jetë i pranishëm edhe Grigori Karasin, kryetar i komisionit për marrëdhënie ndërkombëtare të senatit rus, raporton The Guardian.
Të martën, presidentët e SHBA-së dhe Rusisë zhvilluan një bisedë telefonike. Gjatë një bisede që zgjati dy orë e gjysmë, ata ranë dakord për një armëpushim të kufizuar, sipas të cilit Rusia nuk do të duhej të sulmonte infrastrukturën energjetike të Ukrainës për 30 ditët e ardhshme. Megjithatë, sipas disa mediave ukrainase, armëpushimi u shkel brenda një ore, kur forcat ruse goditën objekte energjetike.
“Sulmet ruse ndaj Ukrainës vazhdojnë, pavarësisht deklaratave të tyre propagandistike… Me çdo raketë të lëshuar, rusët i tregojnë botës qëndrimin e tyre të vërtetë ndaj paqes,” tha Zelensky.
Megjithatë, raportet mediatike nuk flasin për goditje direkte ndaj infrastrukturës energjetike, por për fat të keq Rusia ka vazhduar të sulmojë objekte civile dhe infrastrukturën rrugore.