Plan radikal në Poloni: opozita synon të deportojë të gjithë ukrainasit e papunë në moshë ushtarake

Partia opozitare polake Ligj dhe Drejtësi (PiS) ka prezantuar në kongresin e saj programor një plan të ri kontrovers: nëse rikthehet në pushtet, synon të deportojë të gjithë ukrainasit e papunë që janë në “moshë ushtarake”, pra nga 25 deri në 60 vjeç.

Propozimi u prezantua gjatë kongresit, të mbajtur nën sloganin “Po shkojmë drejt një qeverie të re”, nga eurodeputeti i PiS-it, Tobiasz Bocheński.

“Ata do të kenë mundësinë të luftojnë për atdheun e tyre, në mënyrë që tmerret e kësaj lufte të përfundojnë sa më shpejt. Që Evropa Qendrore dhe Lindore të jenë të sigurta dhe të lira, Ukraina duhet të fitojë”, deklaroi Bocheński, sipas portalit Polsatnews.

Kreu i partisë, Jarosław Kaczyński, sqaroi më pas se plani nuk do të zbatohej për të gjithë ukrainasit që aktualisht jetojnë në Poloni.

“Nuk bëhet fjalë për deportimin e të gjithëve, por vetëm të atyre që janë këtu, nuk punojnë ligjërisht dhe ndodhen në moshë rekrutimi”, theksoi Kaczyński.

Ai e arsyetoi këtë propozim edhe me nevojat e ushtrisë ukrainase, duke thënë se kthimi i një pjese të burrave të aftë për shërbim ushtarak do të përbënte ndihmë të drejtpërdrejtë për Ukrainën në plotësimin e radhëve të forcave të saj të armatosura.

Përveç planit për deportim, partia opozitare synon të krijojë edhe një sistem qendror për evidentimin e qëndrimit të të huajve në Poloni. Në këtë bazë të dhënash do të regjistroheshin të gjitha shkeljet e ligjit, kundërvajtjet apo mospërmbushja e detyrimeve administrative, ndërsa një numër i caktuar “pikësh negative” do të çonte automatikisht, sipas idesë së PiS-it, drejt deportimit.

Kongresi programor i Ligjit dhe Drejtësisë po mbahet në një kohë përplasjesh serioze të brendshme në parti. Rreth 30 deputetë janë larguar kohët e fundit pas konfliktit mes Kaczyńskit dhe ish-kryeministrit Mateusz Morawiecki, i cili ka krijuar brenda partisë një platformë reformuese.

Kaczyński u kërkoi anëtarëve të nënshkruanin një deklaratë besnikërie ndaj partisë dhe të hiqnin dorë nga aktivitetet në “shoqata politike”, gjë që anëtarët e platformës e refuzuan.

Anëtarët e fraksionit “Reforma Plus” të Morawieckit pretendojnë se synimi i tyre ishte forcimi i PiS-it dhe hapja e partisë ndaj një elektorati më të gjerë, e jo vetëm ndaj votuesve strikt konservatorë.

Kategoritë
BotaLajme