Një pilot i kompanisë ajrore Ravenair tërhoqi vëmendjen e publikut pasi gjatë fluturimit shkroi në qiell frazën “Jam mërzitur” (“I’m bored”) mbi hapësirën ajrore të Anglisë dhe Uellsit.
Ky veprim i pazakontë u regjistrua qartë në platformën e njohur për gjurmimin e fluturimeve, Flightradar24.
Siç raportoi “The Guardian”, piloti, një instruktor fluturimi në të njëzetat, u nis të shtunën nga Liverpooli me një avion të vogël të tipit Piper Tomahawk.
Kompania ajrore njoftoi se bëhej fjalë për një fluturim rutinë testues prej dy orësh, që kishte për qëllim kontrollimin e avionit pas zëvendësimit të njërit prej cilindrave.
Gjatë fluturimit, piloti ndau rreth 20 minuta për ta shkruar mesazhin e tij mbi grykëderdhjen e lumit Dee. Sipas të dhënave, ai fluturoi në një lartësi prej 335 metrash dhe me shpejtësi rreth 100 nyje, duke realizuar kthesa të ngushta dhe të sakta, në mënyrë që shkronjat të ishin të dukshme në radar.
Wayne Barrett, menaxheri operacional i kompanisë ajrore, konfirmoi se avioni funksiononte në mënyrë të përsosur dhe theksoi se piloti i ri nuk do të përballet me asnjë masë ndëshkuese. Përkundrazi, ai i lavdëroi aftësitë e tij.
“Mendoj se me të vërtetë ishte mërzitur pak, sepse ishte vetëm një fluturim testues. Megjithatë, ishte një fluturim mjaft i shkathët. Edhe pse në fillim mund të ketë qenë i mërzitur, në fund me siguri i është dashur të përqendrohej shumë për t’i shkruar fjalët”, deklaroi Barrett.
Ai shtoi gjithashtu se avioni u kthye në mënyrë të sigurt në hangar, ndërsa piloti mori një ditë pushim.




















