Pas vendimit për pezullim të Dialogut Strategjik me Kosovën shkaku i veprimeve të Qeverisë Kurti, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka ftuar në takim krerët e tri partive tjera më të mëdha.
Gazeta Online Reporteri.net merr vesh nga burime se Kreu i PDK’së, Memli Krasniqi, ai i LDK’së, Lumir Abdixhiku dhe ai i AAK’së, Ramush Haradinaj, kanë zhvilluar një takim me përfaqësuesit amerikanë në objektin e ambasadës në Dragodan.
Për vendimin e ShBA’së për pezullim të dialogut njoftoi Ambasada, ku tha se kjo u bë për shkak shqetësimeve për veprimet e qeverisë në detyrë që kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar produktivisht me Kosovën në prioritetet e përbashkëta.
Sipas ambasadës, veprimet dhe deklaratat e fundit të kryeministrit në detyrë Kurti kanë paraqitur sfida për progresin e bërë gjatë shumë viteve.
“Shtetet e Bashkuara kanë pezulluar pa afat Dialogun Strategjik të planifikuar me Kosovën për shkak të shqetësimeve për veprimet e qeverisë në detyrë që kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar produktivisht me Kosovën në prioritetet e përbashkëta.
Mbetemi të përkushtuar në avancimin e interesave të përbashkëta të përbashkëta nga Shtetet e Bashkuara dhe populli i Kosovës. Marrëdhënia jonë me Kosovën bazohet në një qëllim të përbashkët: forcimin e paqes dhe stabilitetit si bazë për prosperitetin e ndërsjellë ekonomik. Fatkeqësisht, veprimet dhe deklaratat e fundit të kryeministrit në detyrë Kurti kanë paraqitur sfida për progresin e bërë gjatë shumë viteve”, u tha në njoftim.
Dialogu strategjik është një proces që Departamenti i Shtetit i SHBA-së në shumicën e rasteve zhvillon me vende të ndryshme të botës me synim avancimin e marrëdhënieve bilaterale.
Ky proces përfshin diskutime të nivelit të lartë mes dy vendeve që zhvillohen ose në Uashington, ose në vendin përkatës, mbi një gamë të gjerë temash si mbrojtja, siguria, mjedisi, energjia, bashkëpunimi ekonomik, etj.
SHBA-ja ka zhvilluar dialog strategjik gjatë viteve të fundit me Francën, Mbretërinë e Bashkuar, Rumaninë, Austrinë, Poloninë, Slloveninë, Moldavinë, Greqinë, Maqedoninë e Veriut, Katarin, Omanin, Bahrejnin, Egjiptin, etj.
SHBA-ja përfshihet në dialog strategjik jo vetëm me shtete, por edhe me organizata ose lëvizje të vendeve që ajo nuk i konsideron aleate, si Lëvizja demokratike bjelloruse e udhëhequr nga Sviatlana Tsikhanouskaya. /Reporteri.net/