Përurohet pajisja e re për luftimin e tumorit në Klinikën e Onkologjisë

Përurohet pajisja e re për luftimin e tumorit në Klinikën e Onkologjisë

Kryeministri Kurti tha se ajo që është e re në këtë pajisje është fakti se kjo teknologji e fundit i përshtatet sipërfaqes së tumorit dhe në këtë mënyrë arrin të mos bëjë dëmtime anësore

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia kanë vizituar Klinikën e Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për të parë nga afër vënien në funksion të akseleratorit të dytë si dhe investimet infrastrukturore në përgjithësi që janë bërë në këtë klinikë, raporton Anadolu.

Pas vizitës në këtë klinikë, Kurti tha se akseleratori i dytë është nga teknologjia më moderne që në kuadër të terapisë që bën rrezatimin me rreze jonizuese, me saktësi maksimale në luftimin e tumoreve duke mos dëmtuar edhe indet tjera përreth.

Ai tha se ajo që është e re në këtë pajisje është fakti se kjo teknologji e fundit i përshtatet sipërfaqes së tumorit dhe në këtë mënyrë arrin të mos bëjë dëmtime anësore.

“Në Institutin e Onkologjisë këtu, punojnë gjithsej 24 mjekë. Janë edhe 6 fizikanë dhe 40 infermierë. Ne falënderuam gjithë ata për punën e madhe që po bëjnë dhe jo vetëm kaq. Ata në kohë rekord kanë arritur që ta bëjnë instalimin dhe montimin e kësaj pajisje, të këtij akseleratori të dytë nga i cili do të përfitojnë gjithë pacientët. Deri tash koha e pritjes ka qenë 6 deri në 8 javë, ndërkaq sipas drejtorit Ilir Kurtishaj kjo kohë do të vijë në zero me shumë gjasë brenda këtij viti”, theksoi Kurti.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se kjo është ditë e rëndësishme për qytetarët, sidomos ata që janë të prekur nga sëmundjet malinje. Ai tha se akseleratori i ri i cili përurua sot është në vlerë prej 1 milionë e 440 mijë euro që do t’u shërbejë tani e tutje pacientëve për radioterapi.

“Në Klinikën e Onkologjisë deri në fund të këtij viti po investohen mbi 2 milionë euro, përfshirë këtu edhe infrastrukturën në të cilën përveç përmirësimeve të kushteve momentale siç janë sot, do të ketë edhe zgjerim të kapaciteteve ku pritjet me orë nganjëherë të pacientëve për të marrë shërbimet e tyre, do të minimalizohen në maksimum sepse do të ketë shtretër të mjaftueshëm për të marrë të gjithë kimioterapinë e nevojshme por edhe shërbimet tjera”, theksoi Vitia.

Sipas doktorit të Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishaj, në Kosovë për 6 muaj janë regjistruar 1.050 raste nga të cilat janë rreth 240 me kancer në gji, rreth 150 me kancer në mushkëri, rreth 140 me kancer në zorrë të trashë dhe rritja nga viti në vit është për 10 deri 15 për qind.

Ai tha se në vitin 2022 janë regjistruar në total rreth 1.850 raste të kancerit kurse vitin 2023 ky numër mund të jetë më i lartë për 10 deri në 15 për qind. Sipas tij, shkaktarë të kancerit janë multi-faktorial si kushtet, ambienti, gjenetika, veset e këqija, ushqimi jo-adekuat, infeksionet, etj.

Kategoritë
LajmeVendi
Reklamë: ABE Kosova